Ndërlidhjet

VOX

VOX: Të rinjtë nuk u besojnë politikanëve


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Politikanët e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë arsye të fortë që ta arrijnë besimin e të rinjve apo t’u besohet në fjalën e dhënë, vlerësojnë disa të rinj të Kosovës.

Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, për të rinjtë “VOX, ata thonë se për aq sa mbajnë mend, deri më tash premtimet e politikanëve nuk janë realizuar dhe për sa i përket përmirësimit të jetës për të rinjtë, politikanët nuk kanë treguar ndonjë angazhim që mund të shënohet.

Këto, sipas tyre, edhe janë ndër arsyet e mosbesimit që kanë ndaj politikanëve në Kosovë.

Skënder Krasniqi, nga Prishtina, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se mosrealizimi asnjëherë i premtimeve nga politikanët, tashmë ka krijuar kushte që të rinjtë të ikin nga vendi.

“S’na kanë dhënë arsye për t’iu besuar. Nuk kanë punuar asgjë, sidomos për rini. Nuk shoh perspektivë, asgjë, për të jetuar në këtë vend. Ju e shihni se sa shumë po ikin dhe çdo ditë po e lëshojnë vendin. Ata e kanë një arsye shumë të fortë që e lëshojnë këtë vend, sepse nuk po mund të bëjnë asgjë këtu - as të gjejnë punë e asgjë. Kanë premtuar sa kanë mundur politikanët, por kemi shkuar në atë masë sa nuk u besohet fare, hiç. Si të themi, tallje është bërë kjo punë e premtimeve”, shprehet Skënderi.

Feride Jashari nga Podujeva, studentë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se duke parë luftën për pushtet nga ana e politikanëve të Kosovës, në përgjithësi, si dhe premtimet që i bëjnë në fushata, sipas saj, vetëm për të arritur deri te pushteti, të rinjve u mungon motivi dhe shkaku për t’iu besuar atyre.

“Është diçka që shihet, që e shohim ne me fakte. Nuk po tregojnë asgjë që ata të mund të na e kthejnë neve besimin. Po thonë se ‘kemi për ta zhvilluar Kosovën’, por nuk po shihet asgjë. Vetëm po e shkatërrojnë”, thotë Feridja.

Ngjashëm shprehet edhe Marigona Kuçi, po ashtu studente në Fakultetin Ekonomik:

“Përderisa nuk po bëjnë asgjë për vendin tonë, aspak nuk u besojmë. Së pari, ne, si të rinj, nuk kemi asnjë vend për ndonjë aktivitet. Fakulteti është katastrofë. Gjithmonë me të njohur dhe është bërë bajat vendi. Të gjitha i kanë premtuar dhe nuk po bëjnë asgjë. Kështu që, normal se nuk u besohet kur vendi është në katastrofë, aktualisht”.

Edhe Bujar Ymeri nga Podujeva, student në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, thotë se politikanëve nuk u beson fare.

“Nuk u besoj hiç. U kam besuar para dy apo tre vjetësh, sepse kam qenë në atë fazën që nuk kam ditur mjaft dhe nuk kam parë mjaft, por tash po i shoh. Po e shoh gjendjen, po e shoh situatën që nuk ka ndryshuar asgjë. Po shoh që rinia po ik jashtë. Unë, për shembull, kur ta përfundoj fakultetin, kurrfarë perspektive nuk kam, të hyj në punë ose ngjashëm”, pohon Bujari.

Lirije Sylejmani, nxënëse në Shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujeve, thotë se përderisa ekzistojnë shenja se, sipas saj, korrupsioni ka përfshirë institucionet dhe politikanët, mungon arsyeja që të rinjtë të besojnë në ta:

“Nuk kam arsye t’u besoj politikanëve. Asnjërit, hiç, sepse vetëm kanë mendime që nuk mund t’i realizojnë dhe vetëm fjalë. Janë të korruptuar secili dhe asnjëri nuk mund ta padisë njëri-tjetrin. Të gjithë janë zhytur thellë, kështu që asnjëri nuk mund të bëjë mirë për Kosovën”.

Florina Gashi, nga Suhareka, studion ekonominë në Universitetin e Prishtinës. Sipas saj, tash e 15 vjet, politikanët kanë premtuar shumë, por sipas saj, mospuna e tyre, ka dëmtuar jo vetëm të rinjtë, por të gjithë qytetarët e Kosovës.

Nuk iu besoj fare, sepse vetëm shikojnë kush po e zë një vend, të marrin para për vete dhe të bëjnë diçka për vete e për të tjerët, për qytetarët, jo. Për neve, tash për tash, është e domosdoshme të kemi punë, ne që e kryejmë fakultetin. Por, derisa nuk ka as për prindërit tanë punë të mjaftueshme, nuk pres që do të ketë as për ne. Këta premtojnë shumë, por nuk realizohen”, thekson Florina.

Në anën tjetër, disa të rinj flasin me sarkazëm dhe ironi lidhur me atë se u besojnë ose jo politikanëve. Në këtë mënyrë shfaq mendimin edhe Shefqet Gështenja nga Prizreni, studenten i Grafikës dhe Dizajnit në Kolegjin “AAB”:

“Politikanëve u besojmë shumë... se nuk na ka mbetur kujt tjetër t’i besojmë, përveç atyre, se mund të na çojnë para. Por, kur të kallëzojnë veprat, atëherë do ta fitojnë ende më shumë besimin tonë”.

Edhe Veton Bejtullahu nga Gjakova, student në Shkencat Kompjuterike, shpreh mendim të ngjashëm. Madje, ai thotë se ekziston një situatë, kur ai u beson politikanëve plotësisht.

“U besoj vetëm kur thonë ‘kemi për ta marrë pushtetin’ dhe e di që bëjnë çmos për të arritur deri tek ajo pozitë. Për të tjerat, asgjë, sepse nuk i realizojnë”, shprehet Vetoni.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG