Ndërlidhjet

logo-print

Mustafa në interpelancë para Kuvendit për rastin Jabllanoviq


Me kërkesën e partive politike opozitare, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është thirrur në interpelancë para Kuvendit të Kosovës, ditën e enjte, për të raportuar për rastin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.

Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

Opozita, insiston që ministri Jabllanoviq të shkarkohet nga posti, me gjithë kërkim faljen e zotit Jabllanoviq për deklaratën e bërë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa është "bërë një kryeministër social, me aktivizimin e tij vetëm në Facebook", kështu që atij do t'i kërkohet të ballafaqohet edhe me Kuvendin në lidhje me ministrin në kabinetin e tij që, sipas Ymerit, ka fyer qytetarët.

"Kërkesa e parë e protestës; në fakt kërkojmë nga kryeministri që ai me të vërtetë të bëhet kryeministri i vendit dhe t'a sovranizojë postin e kryeministrit, duke e pasur mundësinë, vullnetin dhe guximin që ta shkarkojë një prej ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mirëpo deri më tani Isa Mustafa e ka dëshmuar që ai nuk e ka ndërmend të sillet si kryeministër sovran", ka thënë Ymeri.

Pas protestave të fundit më 27 janar që eskaluan me dhunë, debati në Kuvend për rastin Jabllanoviq është mirëpritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka thënë se problemet duhet të zgjidhen në institucione dhe jo në rrugë.

"Kryesorja është që të rikthehet debati në institucione. Ne do ta kemi të enjten mbledhjen e Kuvendit, ku edhe do të debatohet, bisedohet dhe të njëjtën kohë besoj se do të ketë edhe reflektim dhe të mos futemi në ultimatume e presione të cilat faktikisht na drejtojnë në një drejtim që nuk është në të mirën e Kosovës", ka deklaruar Veseli.

Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri i konsideron fyese deklaratat e ministrit serb Jabllanoviq, por zgjidhjen e sheh vetëm në Kuvend, e jo me protesta të dhunshme.

Sipas Beqirit, në Kosovë ka shumë probleme për të cilat qytetarët edhe mund të protestojnë, por kjo sipas tij, nuk e justifikon dhunën.

“Mendoj se në Kosovë ka 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye të vetme nuk ka që të përdoret dhuna dhe të ketë lëndime. Edhe unë bëj pjesë në grupin e atyre që e konsideron shumë të pamatur, të paqëndrueshëm dhe të pa drejtë pse jo edhe fyese deklaratën e Jabllanoviqit. Por zgjidhjen për këtë e shoh vetëm në Kuvend”, ka deklaruar Beqiri.

Interpelanca e kryeministrit Mustafa është thirrur nga opozita një ditë pas protestës që është paralajmëruar për të mërkurën, në të cilën kërkesë kryesore mbetet shkarkimi i Jabllanoviqit.

Pjesëmarrjen në protestën e ftuar nga Vetëvendosje më 4 shkurt, e kanë konfirmuar edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma.

Më 24 dhe sidomos më 27 janar, në protestat që u mbajtën në Prishtinë, situata eskaloi në përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë, që si pasojë solli dhjetëra të lënduar si nga protestuesit ashtu edhe policia e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG