Ndërlidhjet

Gruaja e Kenji Gotos, e rrënuar


Tokio, 25 janar 2015

Tokio, 25 janar 2015

Gruaja e Kenji Gotos, gazetarit të pavarur japonez që thuhet se është ekzekutuar nga militantët e Shtetit Islamik, ka thënë se ajo dhe familja e saj, ndihen "të rrënuar" nga lajmi për vdekjen e tij.

Përmes një deklaratë të lëshuar të dielën nga Organizata e gazetarëve të pavarur britanikë, Rory Peck Trust [RPT], Rinko Jogo ka thënë se Goto “nuk ishte vetëm bashkëshort i dashur dhe baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, por edhe një djalë, vëlla dhe shok për shumëkë rreth botës”

Një video 67 sekondëshe është publikuar më 31 janar nga një medium pro-Shtetit Islamik, Al Furqan, ndërsa në të është shfaqur trupi me kokë te prerë i gazetarit Goto.

Japonia ka thënë se është shumë e mundshme, që videoja e shfaqur, të jetë e vërtetë.

Videoja që është publikuar e ka formatin e ngjashëm me videot e mëhershme të publikuara nga IS-i, ku shihen pengjet perëndimore të marra nga militantët e IS-it, në mesin e të cilëve edhe dy gazetarët tjerë të pavarur, amerikanët James Foley dhe Steven Sotloff.

Videoja e paraqet Goton të veshur me rroba ngjyrë portokalli dhe të gjunjëzuar para një militanti të maskuar e të veshur me ngjyrë të zezë, militant i cili flet para kameras.

Videoja më pas ndërpritet dhe shfaqet menjëherë një pamje tjetër e cila e tregon trupin e Gotos me kokë të prerë.

Militanti i maskuar flet anglisht, me theks britanik dhe mendohet të jetë i njëjti person, me nofkën “Jihadi John", i cili thuhet të jetë përgjegjës për një numër vrasjesh të mëparshme.

Për vrasjen e gazetarit, militanti i maskuar gjatë fjalimit të tij në video, e fajëson kryeministrin japonez Shinzo Abe.

Dhimbje dhe krenari

Në mesazhin e saj, gruaja e Gotos, Rinko Jogo, thotë se ishte “shumë krenare” për përpjekjet e bashkëshortit të saj për të raportuar rreth “gjendjes së vështirë të njerëzve në zonat e konfliktit në Irak, Somali e Siri”.

“Ishte pasion i tij për të nxjerrë në pah efektet e njerëzve të zakonshëm, veçanërisht përmes syve të fëmijëve, dhe të informojë për pjesën tjetër të tragjedive të luftës”, ka shkruar Rinko Jogo.

Drejtoresha e RPT-së, Tina Carr, tha përmes një deklarate se Goto ishte një gazetar me përvojë dhe i respektuar, i cili kishte mbuluar ngjarjet në Shqipëri, konfliktet në Afganistan, Çeçeni, Irak, Siera Leone dhe gjithashtu në Siri.

Raportimet e tij ishin të përqëndruara në çështjet humanitare, veçanërisht në ato që prekin fëmijët

Taku Nishimae, një mik i Gotos, i cili e kishte nisur një fushatë në Twitter dhe Facebook për lirimin e tij, e ka postuar të dielën një deklaratë në Facebook. përmes së cilës i shpreh ngushëllime familjes së Kenji Gotos.

“Kenji Goto ishte zëri i atyre që nuk mund të flasin për vetën e tyre, sidomos i fëmijëve”, ka shkruar Taku Nishimae.

Ai u ka bërë thirrje atyre që duan ta kujtojnë dhe ta nderojnë Goton, që të veprojnë në atë mënyrë, që t’i ndihmojnë të tjetër në emër të Gotos.

“Kenji gjithmonë i ka vënë të tjerët para vetës. Ai ishte njëri i qetë, njëri modest nga i cili ne të gjithë mund të mësojmë. Tashmë të gjithë mund të themi “Unë jam Kenji” dhe të bëhemi më të mëshirshëm e më të guximshëm në jetën tonë të përditshme dhe të bëjmë atë që mundemi për t’i ndihmuar ata që janë rreth nesh e që po vuajnë”, ka shkruar më tutje Nishimae.

Fushatën në mediat sociale “Unë jam Kenji” e kanë mbështetur një numër i madh i personave të cilët kërkonin lirimin e Kenji Getos.

Më 31 janar, pas lajmit për vrasjen e Kenji Gotos, një përdorues sirian i Twitterit ka shkruar se Goto ishte “njëri nga të paktët gazetarë që kanë shkuar në Siri për të hedhur dritë mbi vuajtjet e popullit sirian”.

Vrasja e Gotos është bërë një javë pasi grupi militant tha se e kishte vrarë pengun tjetër japonez Haruna Yukawa.

Militantët e Shtetit Islamik thanë atë kohë se se lirimi i Gotos varet nga lirimi i gruas irakiane Sajida al-Rishawi, një sulmuese vetvrasëse në tentim, e cila është e dënuar me vdekje në Jordani dhe është në pritje të ekzekutimit të dënimit. (s.bajrami)

XS
SM
MD
LG