Ndërlidhjet

FDH nuk heqë dorë nga akuzat për shefin e ushtrisë serbe


26 prill 2013, në shenjë kujtimi për personat e zhdukur.
26 prill 2013, në shenjë kujtimi për personat e zhdukur.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, ka akuzuar shefin e Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisha Dikoviq, si përgjegjës për krime lufte, gjatë luftës në Kosovë, derisa drejtonte njësitin e 37 të motorizuar të ushtrisë serbe.

Tashmë, kjo është hera e dytë që kjo organizatë akuzon gjeneralin serb Dikoviq, pas akuzave që i kishte bërë në vitin 2012.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, në një shkrim të saj për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, ka theksuar se “verifikimi i akuzave për përgjegjësinë e gjenerali Dikoviq, duhet të zhvillohen nën dritën e opinionit dhe pjesëmarrësve të dialogut në Bruksel, për shkak se Prokuroria për krime lufte (e Serbisë), tashmë është treguar si mbrojtës i padiskutueshëm i instruksioneve politike”.

Kandiq, gjithashtu ka theksuar se “në qoftë se deri në shtator të vitit 2014 dihet identiteti i njerëzve, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë, si dhe lokacioni i vrasjes dhe zhdukjes së tyre, ekziston pyetja se pse Prokuroria për krime lufte nuk i ka nisur hetimet për rrethanat e vdekjes së atyre njerëzve”.

Kandiq, beson fuqishëm se "EULEX-i dhe institucionet e Kosovës janë shumë të gatshme për të ndihmuar në sigurimin e dëshmive”.

Zyrtarët e misionit EULEX, nuk kanë specifikuar nëse ky mision ka dëshmi që e ngarkojnë gjeneralin serb Dikoviq.

Por, zëdhënësja e misionit EULEX, Besa Domi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky mision në vazhdimësi bashkëpunon me prokuroritë në Beograd.

“Është fakt publik që EULEX-i ka bashkëpunuar me autoritetet në Serbi edhe gjatë gërmimeve dhe momentalisht ka bashkëpunim të ngushtë me autoritetet dhe prokuroritë në Beograd, për çështjet e krimeve të luftës”.

Prenk Gjetaj, udhëheqës i Komisionit qeveritar për të pagjeturit në Qeverinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në grupin punues për të pagjeturit, ku bën pjesë edhe pala nga Serbia, pala e Kosovës i ka dorëzuar një dokument të Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, që kërkon sqarim për rastin e masakrës së Rrezallës, viktimat e të cilit rast janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës.

“Provat tjera janë se autoritetet serbe, vazhdimisht e kanë ditur se ku gjendet varreza masive e mbetjeve mortore, të cilat janë groposur në Rudnicë. Do të thotë, aty kanë përgjegjësi edhe institucionet serbe, si dhe përmendet edhe njësia e motorizuar 37, e cila ka operuar në regjionin e Mitrovicës dhe regjionin e Drenicës”.

Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se për krimet e luftës në Kosovë dhe në hapësirat e ish -Jugosllavisë, Tribunali i Hagës për krime lufte ka dhënë dënime për individ të niveleve të larta, duke u bazuar në përgjegjësitë e tyre komanduese, si dhe për urdhërim, mos pengim të krimit, apo edhe për vet ekzekutimin e krimit. Në këtë kontekst, sipas tij, duhet parë edhe çështja e gjeneralit serb Dikoviq..

“Në këtë kontekst edhe Dikoviq është përgjegjës, për shkak se ai ka qenë udhëheqës i operacioneve në rajonet ku kanë ndodhur krimet, pikërisht në atë pjesë të Drenicës ku kanë ndodhur krimet. Dikoviq, në mos për asgjë tjetër, ai do të duhej të përgjigjej në bazë të përgjegjësisë komanduese që ka pasur".

"Por, në qoftë se ai nuk ka qenë i përzier në krime, ndonëse kjo është vështirë të mohohet, atëherë, së paku, ai do të duhej të nxirrej para gjyqit dhe të tregonte se kush ka qenë përgjegjës, kush ka udhëhequr personat dhe kush ka bërë krime ndaj shqiptarëve në rajonin e Drenicës”.

Shala ka theksuar se EULEX-i, si trashëgimtar i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK, do të duhej të kishte shumë më tepër informata se sa të gjitha institucionet e Kosovës, lidhur me krimet e luftës nga ana e forcave serbe në Kosovë.

Megjithatë, Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës, i cili ishte themeluar nga Qeveria e Kosovës në muajin prill të vitit 2011, ende nuk ka arritur të funksionalizohet.

Anëtari i këtij instituti, profesor Ismet Salihu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky institut është nK fillimin e hulumtimeve, për shkak sende nuk është konsoliduar.

“Ky institut ende është në fazën e konsolidimit dhe për ta kryer punën ne duhet t’i kemi hulumtuesit në terren. Ne ende nuk kemi arritur që të dalim nëpër terren”.

Ndryshe, drejtuesit e lartë të Qeverisë serbe i kanë quajtur akuzat ndaj gjeneralit Dikoviq, si “sulme të orkestruara” ndaj institucioneve bartëse në Serbi, madje duke i vlerësuar si sulme “që kanë për qëllim dobësimin e ushtrisë së Serbisë”.

XS
SM
MD
LG