Ndërlidhjet

Debati për dhe kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën


Forcat ukrainase në Luhansk, 28 janar 2015
Forcat ukrainase në Luhansk, 28 janar 2015

Me përshkallëzimin e krizës në Ukrainë, trysnia në vendet perëndimore po shtohet për t’i ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës.

Më 2 shkurt, Këshilli Atlantik, së bashku me Institutin Brookings, kanë publikuar një raport, duke bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë ndihmë ushtarake në armatim dhe pajisje logjistike për Ukrainën, në vlerën prej 3 miliardë dollarësh.

Megjithatë, është ky një propozim kundërthënës që mund të rezultojë me një intensifikim thelbësor të dhunës në rajon dhe bart me vete edhe rrezikun e një konfrontimi direkt dhe serioz me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Nga erdhën këto propozime?

Qeveria ukrainase ka përjetuar dështime thelbësore ushtarake në javët e fundit, ndërkohë që po bëhet shumë e qartë tashmë se armëpushimi i arritur në shtator të vitit 2014 nuk po funksionon. NATO vlerëson se separatistët e mbështetur nga Rusia kanë arritur të marrin kontrollin e 500 kilometrave katrorë në 16 javët e fundit, përfshirë këtu edhe aeroportin e Donetskut.

Liderët separatistë kanë njoftuar më 2 shkurt për planet që kanë në rekrutimin e 100 mijë luftëtarëve shtesë, për të luftuar Kievin.

Qeveritë perëndimore gjithashtu kanë akuzuar Rusinë se po furnizon kryengritësit me sasi të konsiderueshme të armatimit të rëndë. Ekspertët e NATO-s vlerësojnë se rreth 1 mijë trupa ushtarake dhe këshilltarë të tyre rus tashmë janë duke operuar brenda territorit ukrainas, ndonëse Kievi pohon se ky numër është shumë më i madh.

Moska vazhdon të pohojë se nuk ka forca brenda Ukrainës dhe se nuk është palë në atë që ajo e quan “luftë civile në Ukrainë”. Moska ka akuzuar Kievin se po synon ta zgjidhë problemin me mjete ushtarake.

Kush e mbështet armatimin e Ukrainës?

Raporti i Këshillit Atlantik ka për bashkë-autorë tetë ish zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë këtu një ish komandant të lartë të NATO-s, një ish ambasador amerikan në NATO, dy ish ambasadorë amerikanë në Ukrainë dhe një ish zëvendës sekretari amerikan të shtetit.

Këta ekspertë u janë bashkuar një numri senatorësh amerikanë me ndikim, përfshirë këtu republikanin nga Arizona, John McCain dhe demokratin nga New Jersey, Robert Menendez.

Një shkrim i 2 shkurtit në New York Times pohon se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, sekretari i mbrojtjes, Chuck Hagel, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Martin Dempsey dhe komandanti i NATO-s, Philip Breedlove, janë të gatshëm për ta shqyrtuar këtë mundësi.

Edhe Susan Rice, këshilltare e presidentit amerikan, Barack Obama, për çështje sigurie, thuhet të ketë zbutur rezistencën e saj për një ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Gjithashtu, historiani Timothy Garton Ash ka shkruar më 1 shkurt se Perëndimi duhet t’i japë Ukrainës “armatim modern mbrojtës për t’iu kundërvënë armatimit modern sulmues të Rusisë”.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar tashmë Aktin në Mbështetje të Lirisë për Ukrainën, me të cilin administratës i ofrohet një shumë prej 350 milionë dollarësh të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Për çfarë ndihme bëhet fjalë saktësisht?

Sa për ndihmën me pajisjet logjistike, Këshilli Atlantik ka rekomanduar dërgimin e sistemeve të avancuara me radarë, që mund të ndihmojnë në neutralizimin e sistemeve të separatistëve për raketa. Raporti gjithashtu bën thirrje për dronë “hulumtues”, si dhe kundërmasa eletronike për t’iu përgjigjur dronëve luftarakë, që gjenden në duart e separatistëve.

Raporti bën thirrje edhe për pajisje të sofistikuara komunikimi, të cilat nuk mund të përgjohen nga ushtria ruse, pastaj më shumë pajisje mjekësore dhe makina të blinduara.

Për armatim ndërkaq, raporti bën thirrje për dërgimin e projektilëve me të cilat do të sulmoheshin tankset e separatistëve dhe makinat e tyre të blinduara. Gjithashtu, në raport u bëhet thirrje vendeve anëtare të NATO-s, e të cilat posedojnë teknologji kundër-ajrore nga periudha sovjetike, ta ndajnë atë me Ukrainën, derisa të mos modernizohet mbrojtja ajrore ukrainase.

Cilat janë rreziqet?

Janë të shumtë ata që thonë se duke i ofruar ndihmë ushtarake Ukrainës, Moska do të ndihet e detyruar të kundër-përgjigjet duke shtuar mbështetjen që ka për separatistët. Një përshkallëzim i tillë do të çonte në më shumë dhunë në këtë luftë, e cila deri tash ka lënë mijëra të vdekur, qindra mijëra të zhvendosur dhe dëme në vlerë prej disa miliardë dollarësh.

Disa analistë madje thonë se Perëndimi vështirë se do të ketë mundësinë t’i ofrojë Ukrainës ndihmë në përmasat që do të ishin adekuate për të mposhtur kryengritjen e mbështetur nga Rusia.

Dhe në fund, ndihma ushtarake do të ofronte një kartë më shumë për Rusinë, e cila pogon se konflikti në Ukrainë është përpjekje e Perëndimit për ta dobësuar Rusinë. (a.vidishiqi)

XS
SM
MD
LG