Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se “bazuar në informacionet policore dhe vlerësimet e bëra të protestave të mëhershme, protesta e së mërkurës pritet të jetë e dhunshme, ku në mesin e protestuesve mund të ketë edhe persona të armatosur, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve, qoftë ndaj zyrtarëve policorë apo edhe ndaj vetë protestuesve”.
Komunikata e policisë vjen një ditë para protestës së paralajmëruar për datën 4 shkurt, nën organizimin e partive politike në opozitë, në kërkim të shkarkimit të ministrit për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq dhe shpalljes së kombinatit metalurgjik “Trepça” si ndërmarrje e veçantë publike.
Jabllanoviq i kishte quajtur më 6 janar "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Në komunikatë, policia thotë se “përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të policisë për të kontaktuar me organizatorët e protestës së paralajmëruar për të mërkurën, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, i cili është qëllimi primar i Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mos përgjigjes deri më tani nga ana e organizatorëve”.
Protesta e fundit, e mbajtur më 27 janar, përshkallëzoi në përplasje të rrepta ndërmjet protestuesve dhe forcave të rendit.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike”.
Lëvizja Vetëvendosje, si bartëse e organizimit të protestave, ka hedhur poshtë pretendimet e policisë.