Ndërlidhjet

Kosova ka pasur mjaft fakte për ta paditur Serbinë, për gjenocid, krime lufte apo të paktën për dëmet gjatë luftës, por kjo nuk ka ndodhur as pas pavarësimit të Kosovës, në vitin 2008, e deri më tash, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike.

Qeveria e Kosovës, pati paralajmëruar se do ta nisë mbledhjen e fakteve për të argumentuar, siç ishte thënë “të vërtetën shkencore dhe profesionale për krimet e luftës”, dhe në këtë kuadër, në vitin 2011 pati krijuar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me rastin e përurimit të këtij Instituti, pati theksuar se argumentimi i gjenocidit do të bëhej larg politikës dhe në mënyrën më profesionale.

“Jam shumë i bindur që argumentet tona, e drejta jonë e luftës dhe vuajtjet tona deri në shkallë të gjenocidit, do të argumentohen në mënyrën më të mirë profesionale dhe politika nuk do të jetë pengesë për trajtimin e tyre, përkundrazi do të jetë një mbështetje e plotë që e vërteta shkencore, do t’i ndihmojë edhe politikës, por edhe qasjes sonë, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen dhe gjeneratat që do të vijnë”, ishte shprehur ministri Kuçi.

Por, tash, katër vjet pas përurimit të këtij instituti, zyrtarët e tij, vlerësojnë se ai ende është “në konsolidim e sipër”.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, profesori i të drejtës penale në Universitetin e Prishtinës, Ismet Salihu, drejtues i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Sipas tij, deri më tash, për shkak të procesit të konsolidimit, instituti nuk ka arritur të mbledh faktet, për të cilat edhe ishte themeluar ky institut, për shkak se hulumtuesit nuk kanë arritur që të dalin në terren.

Nisur nga kjo situatë, Salihu thotë se për të bërë Kosova një padi kundrejt Serbisë, është dashur punë efektive, të paktën për 3 vjet, por kjo nuk ka ndodhur.

“Për të nxjerrë faktet, aty duhet të punohet për dy-tre vjet ekspertët, sepse ajo punë nuk është e lehtë. Nuk kanë arritur ta bëjnë dhe nuk e kanë ndërmend ta bëjnë”, thotë Salihu.

Në anën tjetër, Afrim Hoti, profesor i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se ka munguar vullneti dhe gatishmëria e institucioneve për të bërë diçka më serioze në drejtim të krijimit të mundësive reale për të paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“Mendoj se në veçanti, pas shpalljes së pavarësisë e këndej, duke pasur parasysh edhe mundësitë ligjore dhe juridike që na i jep edhe statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova jo vetëm që ka mundur të bëjë diçka, brenda për brenda saj, në kuptimin e mbledhjes, arkivimit dhe të ruajtjes së këtyre fakteve, por, besoj që ka pasur mundësi edhe që të ecë më tutje me inicimin eventual të procedurës për ndonjë akuzë kundër Serbisë”, shprehet Hoti.

Ndryshe, profesor Salihu, vlerëson se lidhur me krimet e luftës, kundër njerëzimit apo gjenocid, Kosova mund të bëjë padi ndaj Serbisë, kurdo qoftë, për shkak se, sipas tij, rasti nuk vjetërsohet.

“Kjo çështje mund të ndodhë edhe pas 5 vjetësh, pas 15 vjetësh, pas 25 vjetësh. Kjo çështje nuk parashkruhet, nuk vjetërsohet. Kështu që kur të bëhet gati kjo edhe mund të bëhet”, thekson Salihu.

Edhe profesor Hoti, vlerëson se Kosova mund të bëjë padi ndaj Serbisë kurdo, por natyra e provave zbehet çdo ditë e më shumë.

“Provat dhe dëshmitë nuk janë të njëjta sikur të ishin marrë menjëherë pas luftës dhe sikur sot, 15 vjet pas luftës. Atëherë ka pasur shumë dëshmitarë, ka pasur shumë prova të prekshme, të kapshme, të cilat, sot për sot, ndoshta edhe nuk mund t’i gjejmë mirë ato. Prandaj, si procedurë, është e mundur edhe sot, por dëshmitë vetëm sa vijnë e zbehen”, thotë Hoti.

Ndryshe, statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë parasheh që para kësaj gjykate të aplikojnë shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e që në mënyrë automatike janë pjesë e gjykatës, por edhe vendet që nuk janë nënshkruese të statutit dhe nuk janë pjesë e OKB-së, por që pranojnë dispozitat dhe obligimet e dala nga statuti i gjykatës.

Në kategorinë e dytë është edhe Kosova.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG