Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave “ndal” migrimin ilegal


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni - foto arkivi
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni - foto arkivi

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë, ka thënë se liberalizimi i vizave vë në kontroll dhe ndal migrimin ilegal.

I ftuar nga shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ministri Hyseni ka bërë një prezantim para ambasadorëve të BE-së rreth migrimit ilegal, ekstremizmit të dhunshëm, si dhe është përgjigjur në interesimin e ambasadorëve rreth protestave të fundit, si dhe rreth shkarkimit të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.

“Ishte porosi konsensuale e gjithë ambasadorëve të BE-së se qytetarëve të Kosovës që po migrojnë ilegalisht në vendet e BE-së, nuk do t’iu ofrohet strehim dhe rrjedhimisht do të kthehen që të gjithë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Hyseni po ashtu ka theksuar se janë shkaqet ekonomike, mbi të gjitha, që bëjnë një numër të madh të qytetarëve të marrin “rrugë pa krye”.

“Janë kriminelët që përfitojnë mbi fatkeqësinë e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Hyseni ka nënvizuar se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar dhe se liberalizimi i shpejtë i vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po përballen me fluks të madh të migrimit të kosovarëve.

XS
SM
MD
LG