Ndërlidhjet

Maqedoni: Prokuroria ndalon publikimin e provave


Vendimi i Prokurorisë publike në Maqedoni për të ndaluar publikimin e të gjitha materialeve që mund të shërbejnë si prova në hetimin e liderit të opozitës, Zoran Zaev, vlerësohet si absurd nga ekspertët e çështjeve juridike.

Ky vendim pason publikimin e dy video-incizimeve, nga takimi mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës, Zoran Zaev, në të cilat ky i fundit paralajmëron publikimin e shumë aferave kriminale të qeverisë aktuale, të siguruara nga shërbime të ndryshme.

Jovan Trpenovski, ish prokuror publik, thotë se nuk mund të besojë se prokuroria ka dalë me një komunikatë të tillë, pasi kjo bie në kundërshtim të plotë me kompetencat e saj.

“Sinqerisht nuk mund të besoj se prokuroria publike ka dalë me diçka të tillë. Prokuroria publike është organ i cili ndjek kryerësit e veprave penale, ndërsa paralajmërimi apo kërcënimet se do të ketë sanksione për çdo person që publikon dokumente, apo materiale që mund të jenë objekt i ndonjë procesi, është në kundërshtim të plotë me të gjitha kompentencat e prokurorisë publike".

"Ky organ nuk ka instrument me të cilin do të ndalonte publikimin e informatave, madje konsideroj se nëse prokuroria bën diçka të tillë, atëhërë vepron në kundërshtim me autorizimet. Ndalim të publikimit të materialeve të caktuara, mund të ketë vetëm pasi të ketë nisur ndonjë proces gjyqësor, apo vetëm pasi të dyja palët të kenë prezantuar argumentet e tyre për rastin në fjalë, por edhe në këtë rast mund të ketë ndalime, megjithatë vetëm nëse ato kanë të bëjnë me rrezikimin e interesave shtetërore. Pra, vendimi i prokurorisë është absurd. Si mund ajo të ndalojë diçka për të cilën nuk është e njoftuar“, thotë Trpenovski.

Ndërkohë, vendimi i prokurorisë i adresohet edhe mediave, të cilat sipas komunikatës, nuk duhet të publikojnë informata e tilla.

“Prokuroria publike vlerëson se është e nevojshme të theksohet se publikimi i materialeve që mund të jenë objekt i procedurave të mëtejme penale, ndalohet dhe është e dënushme me ligj. Tërheqim vërejtjen që menjëherë të ndalohet publikimi dhe emitimi i materialeve të tilla”, thuhet veç tjerash në komunikatë.

Por, nga sindikata e mediave thonë se ndalesa e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha aktet ndërkombëtare. Madje, nga sindikata tërheqin vërejtjen se mediat e kanë për obligim të publikojnë çdo informacion që ka të bëjë për përfshirjen e zyrtarëve të veprimtari të rënda kriminale.

“Ky është thelbi i parimeve fundamentale të mediave, që të informojnë në interes të publikut si dhe të respektojnë të drejtën kushtetuese për informimin objektiv dhe me kohë të qytetarëve. Kurrfarë paralajmërimesh nga ana e prokurorisë nuk duhet të shërbejnë si arsyetime për zbrapsje nga parimet themelore të informimit të drejtë, pasi vetëm në këtë mënyrë opinioni mund të nxjerrë konstatime për atë që po ndodhë në shtet”, thotë Tamara Çausidis nga sindikata e mediave në Maqedoni.

Vendimi i prokurorisë vjen në kohën e ngritjes së tensioneve mes pushtetit dhe opozitës. Kjo e fundit pritet që në çdo moment të aktivizojë “bombat”, siç i quan dëshmitë e shumta që pretendon se i posedon për veprimtari të rënda kriminale të qeverisë aktuale, e të cilat, sipas opozitës, mund të kenë pasoja të rënda edhe ndaj raporteve ndëretnike.

Lidhja social-demokrate ka njoftuar përgjimin nga ana e pushtetit të mijëra qytetarëve në mënyrë të jashtëligjshme dhe të mbi 100 gazetarëve, por pa hyrë në detaje, ndërsa thotë se posedon dëshmi edhe për likuidime, afera të rënda korruptive, e kështu me radhë.

Por kryeministri Nikolla Gruevski, mbrojtjen e vetme e ka përqëndruar në akuzën ndaj liderit të opozitës për bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete, ndërsa ka pranuar se në dëshmitë që posedon Zoran Zaev, “ka të vërteta, gjysmë të vërteta dhe të pavërteta“.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se me veprimet e fundit pushteti ka treguar shenja të frikës andaj edhe po përdorë të gjithë mekanizmat për frikësimin e opinionit dhe të opozitës në veçanti, e cila, sipas tyre, nuk duhet të vonojë me publikimin e dëshmive të tilla për të mos mbajtur pezull opinionin e gjerë.

XS
SM
MD
LG