Ndërlidhjet

Kalimi i paligjshëm i kufirit Serbi - Hungari


Kalimi ilegal i kufirit Serbi - Hungari
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Ekipi në Hungari: Ognjen Zoriq, Norbert Shinkoviq, Shërbimi për Ballkanin

Qytetarët e Kosovës, të cilët në mënyrë të paligjshme po përpiqen të shkojnë në vendet e Evropës perëndimore, përballen me mjaft vështirësi gjatë kalimit të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.

Një ekip i Radios Evropa e Lirë, nga Shërbimi për Ballkanin, ka vizituar zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë për të parë nga afër situatën.

Roja e fushës Barnabash Peter Heredi, hungarez, i cili patrullonte në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, kishte shoqëruar ekipin e Radios Evropa e Lirë deri në pjesën ku emigrantët nga Kosova kalonin ilegalisht kufirin.

Ai ka shpjeguar se emigrantëve u duhej të kalonin një kanal të mbushur me ujë, në zonën e ndërmjetme të kufirit Serbi-Hungari.

Roja e fushës, Heredi, ka shpjeguar se emigrantët pasi e kalojnë kanalin, i ndërrojnë rrobat me shpejtësi, duke i hequr rrobat e lagura.

Në rrugën që drejton nga vendi Ashothalom për në qytetin Segedin, ishte një grup prej 40 emigrantësh nga Kosova, të cilët tashmë e kishin kaluar kufirin dhe kishin hyrë në shtetin hungarez.

Ata thanë se ishin nga qyteti i Mitrovicës. Njëri prej emigrantëve ka shpjeguar se grupi i njerëzve që sapo kishte hyrë ilegalisht në territorin e Hungarisë, ishte nisur nga Prishtina. Arsyet e migrimit, sipas të intervistuarit në videon e mësipërme, janë varfëria dhe papunësia.

Autoritetet lokale thonë se në këtë mënyrë, në vendin e njëjtë, gjatë ditës kufirin e kalojnë ilegalisht rreth 500 persona në ditë.

Emigrantët, me autobus përmes Beogradit arrijnë në Suboticë, qytet ky i cili është rreth 20 kilometra larg kufirit me Hungarinë.

Siç ka shpjeguar një qytetar nga Mitrovica, i cili ishte në grupin e emigrantëve, në Suboticë sapo të zbresin nga autobusët, janë taksistët ata, të cilët i transportojnë deri pranë një picerie, ku edhe i kontaktojnë trafikantët.

“Sapo të dalësh nga autobusi, menjëherë të ofrohen taksistët. Të ofrojnë transportin dhe nuk ke nevojë fare t'u thuash se ku dëshiron të të dërgojnë. Ata e dinë vet. Të lënë afër picerisë dhe të thonë ‘këtu të presin ata tutë’. Hyn brenda, të kërkojnë 200 euro për person, për bartje deri në Hungari. Nga unë kanë kërkuar 800 euro që të më bartin një kilometër dhe të më tregojnë se ku duhet ta kaloj kufirin”, ka rrëfyer emigranti nga Mitrovica.

Trafikantët, të cilët i dërgojnë njerëzit përtej kufirit, policia hungareze i quan “Shëtitësit”. Roja e fushës, Heredi, thotë se disa ditë më parë e ka arrestuar një të tillë.

Sipas tij, shumë prej tyre tashmë nuk e kalojnë kufirin, por vetëm i sjellin njerëzit deri në një vend të caktuar.

Heredi ka treguar shtëpinë në anën serbe të kufirit, pranë së cilës, gjatë ditës, disa herë kalon automobili i njëjtë.

“Në rregullisht vijmë në këtë pjesë të kufirit dhe shumë shpesh shohim se në pjesën serbe, një automjet me ngjyrë të kuqe, i sjell njerëzit deri te një fermë. Aty, vozitësi u tregon drejtimin kah Hungaria dhe grupi i njerëzve niset drejt nesh. Unë nuk e kam të qartë se pse nuk po reagojnë kompetentët në anën serbe”, ka thënë Heredi.

Ai ka shpjeguar se së shpejti do të arrinin autobusët që do të marrin grupin e emigrantëve për ta dërguar në Segedin, ku do të vendosej dhe evidentohej në qendrat e emigrantëve.

Në anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë gjasë që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Duke komentuar valën e fundit të migrimit ilegal nga Kosova, Zyra e BE-së po ashtu ka thënë se “kosovarët rrezikojnë të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, vetëm për t’u rikthyer në Kosovë”.

Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, përfaqësia e Bashkimit Evropian ka thënë se nuk është në interes të Kosovës, “nëse numri i kërkesave për azil në BE, nga shtetas kosovarë, vazhdon të rritet”.

Kurse, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë, ka thënë se liberalizimi i vizave vë në kontroll dhe ndalë migrimin ilegal.

I ftuar nga shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ministri Hyseni ka bërë një prezantim para ambasadorëve të BE-së rreth migrimit ilegal, ekstremizmit të dhunshëm, si dhe është përgjigjur në interesimin e ambasadorëve rreth protestave të fundit, poashtu edhe për shkarkim të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.

“Ishte porosi konsensuale e gjithë ambasadorëve të BE-së, se qytetarëve të Kosovës që po migrojnë ilegalisht në vendet e BE-së, nuk do t’iu ofrohet strehim dhe rrjedhimisht do të kthehen që të gjithë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme.

Hyseni po ashtu ka theksuar se janë shkaqet ekonomike, mbi të gjitha, që bëjnë një numër i madh i qytetarëve të marrin “rrugë pa krye”.

“Janë kriminelët që përfitojnë mbi fatkeqësinë e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Hyseni.

Hyseni ka nënvizuar se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar dhe se liberalizimi i shpejtë i vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat po përballen me fluks të madh të migrimit të kosovarëve.

Zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë, por edhe njohës të fushës, kanë shprehur po ashtu shqetësimet e tyre për ndikimin e këtij problemi në procesin e liberalizimit të vizave.

Në të njëjtën kohë, ata kanë thënë se pa zhvillim ekonomik të Kosovës, migrimi do të jetë vështirë të ndalet.

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.

Përgatitur nga A.Konushevci dhe B.Bislimi

XS
SM
MD
LG