Ndërlidhjet

Jordania hakmerret me vrasjen e dy militantëve

  • RFE /RL

Babai i pilotit të ekzekutuar nga IS-i

Babai i pilotit të ekzekutuar nga IS-i

Jordania ka ekzekutuar militanten irakiane, Sajida al-Rishawi dhe një tjetër militant, po ashtu irakian, pasi grupi ekstremist i Shtetit Islamik (IS), ka publikuar një video, e cila tregon një pilot jordanez duke u djegur i gjallë.

Rishawi është varur mëngjesin e sotëm, së bashku me Ziyad Karbolin, pjesëtar i Al Kadiës në Irak, i cili është dënuar në vitin 2008 për vrasjen e një jordanezi.

Rishawi ka qenë e dënuar me vdekje për rolin e saj në bombardimin e një hoteli në Aman, më 2005, me ç’rast kanë humbur jetën dhjetëra persona.

Militantët e Shtetit Islamik kanë kërkuar lirimin e Rishawit në këmbim të lirimit të pilotit jordanez, Muath al-Kasaesbeh, i cili është kapur në fund të dhjetorit, pasi aeroplani i tij është rrëzuar në Siri.

Videoja e postuar në internet të martën nga militantët e Shtetit Islamik, tregon Kasaesbehun duke u djegur i gjallë.

Safi al-Kasaesbeh, babai i pilotit, i ka bërë thirrje Qeverisë së Jordanisë dhe koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili kryen sulme ajrore kundër caqeve të xhihadistëve, që “të hakmerren edhe me goditje më të dhimbshme, për t’i shkatërruar këta militantë”.

Ai u ka thënë gazetarëve se gjaku i djalit të tij është gjak i kombit dhe se gjaku i kombit duhet të shpaguhet.

“Unë e konsideroj Muathin martir të Zotit. Me vullnetin e Zotit, ai ndodhet në parajsë me martirët e tjerë, me njerëzit e mirë dhe profetët”, ka thënë babai i pilotit.

Kreu i Universitetit Al-Azhar të Egjiptit, që është qendra më e lartë e mësimeve të Islamit sunit, ka shprehur zemërim për djegien për së gjalli të pilotit jordanez.

Ahmed al-Tayeb ka bërë thirrje për “vrasje, kryqëzim dhe gjymtim të terroristëve të Shtetit Islamik”, duke thënë se ata meritojnë një ndëshkim të tillë, sepse “në fakt, janë duke luftuar Zotin dhe profetin e tij Muhamed”.

Mbreti Abdullah i Jordanisë, në një deklaratë të transmetuar në televizionin shtetëror, ka thënë se vrasja e Kasaesbehut është “terror frikacak, i kryer nga një grup që nuk ka lidhje me Islamin”.

Abdullah ka ndërprerë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka pasur një takim të shkurtër me presidentin Barack Obama, para se të kthehej.

Obama ka shprehur ngushëllimet e tij dhe ka dënuar vrasjen e pilotit.

Edhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka shprehur ngushëllime për Jordaninë.

“Kam një ndjenjë të fortë zemërimi pasi kam dëgjuar se piloti jordanez, Muath al-Kasaesbeh, është djegur në mënyrë të tmerrshme nga militantët e Shtetit Islamik”, ka thënë Abe.

Militantët e Shtetit Islamik kanë vrarë dy pengje japoneze në dy javët e fundit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG