Ndërlidhjet

BE: Dhuna në Ukrainë duhet të ndalet

  • RFE /RL

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha më 4 shkurt se “rritja e dhunës në Ukrainë, duhet të ndalet”, si dhe ka fajësuar rebelët pro-rus për përshkallzim të situatës, që po shkakton “vuajtje-njerëzore”.

Në një deklaratë, Mogherini tha se “bombardimet ndaj civilëve, kudo që ndodhin, janë dhunë ndaj ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”.

Por, ajo rezervoi fjalët e saj të mprehta për rebelët pro-rus, të cilët kanë qenë duke luftuar për të pushtuar provincën Debaltseve, nga forcat qeveritare dhe kanë kërcënuar që do të marrin kontrollin e Donjeckut e Luhanskut, si dhe rajonit në përgjithësi.

"Ky konflikt provokues nga ofensiva e vazhdueshme separatiste, po shkakton vuajtje të mëdha njerëzore dhe po dobëson pëërpjekjet për zgjidhje politike” ka thënë Mogherini.

Ajo iu bashkua kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në thirrjë për armëpushim të shpejtë në zonën e Debaltseve, duke shtuar se armëpushimi duhet të zgjasë së paku tre ditë.

"Banorët e Ukrainës detyrohen të largohen nga vendi dhe krizat humanitare vazhdojnë të përkeqësohen, në periudhën më të ftohtë të vitit”, tha ajo.

"Civilët duhet të jenë në gatshëm të lirojnë zonën e konfliktit në mënyrë të sigurtë”.

Mogherini përsëriti thirrjet për tërheqje të artilerisë nga zonat e banuara.

Agjencia franceze e lajmeve “AFP”, ka raportuar më 4 shkurt se një trup para spitalit në lagjen Tekstylshchyk, dhe dy civilë tjerë të vrarë, janë parë të shtrirë në tokë afër një ndërtese banimi.

Separatistët pro-rus në Donjeck, kanë thënë se 15 njerëz janë vrarë kur spitali u kaplua nga zjarri, kurse disa ndërtesa publike dhe disa shkolla, janë shkatërruar.

Papa Françesku tha më 4 shkurt, se situata në Ukrainë “po përkeqësohet dhe kështu është qëndrimi i të gjitha palëve të involvuara”.

Ai iu ka bërë thirrje liderëve botërorë të shtyjnë përpara promovimin e dialogut “që është mënyra e vetme drejt paqes në këtë tokë martire”.

Në fjalimin javor në Vatikan, ai tha se konflikti “është luftë mes të krishterëve, krishterët po luftojnë njëri tjetrin, mendoni për këtë skandal. Ne të gjithë do të lutemi sepse lutja është protesta jonë përballë Zotit, në kohë lufte”.

Ukraina dhe Rusia janë të banuara kryesisht me të krishterë ortodoks.

Afër Debaltseve, konflikti ka vazhduar përkundër thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim dhe shqetësimeve për fatin e civilëve në rrugët e provincës mes Donjeckut dhe Luhanskut.

Ushtria ukrainase ka thënë se rebelët kanë përdorur “të gjitha llojet e armëve”, në nëntë sulmet në pozicionet e tyre afër Debaltseve, por kanë dështuar t’i mposhtin forcat qeveritare.

Zëdhënësi i ushtrisë, Vyacheslav Seleznyov, tha se dy ushtarë ukrainas janë vrarë në 24 orët e fundit në lindje të Ukrainës, ku ky konflikt ka lënë të vrarë 5,350 persona që nga muaji prill i vitit të kaluar.

Një zëdhënës i separatistëve, tha se 4 njerëz janë vrarë në dhe rreth qytetit të Donjeckut, brenda natës.

Thirrjet për armëpushim në zonën Debaltseve, janë bërë pas deklaratës së Amnesty International më 3 shkurt, duke quajtur këtë situatë “katastrofike”, me mijëra banorë “ të rrënuar dhe strehuar nga bombardimet”, dhe në nevojë për rezerva të ujit, ushqimit, rrymës dhe ndihmë mjekësore.

Kryesuesi i OSBE-së, ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, tha se armëpushimi duhet të përdoret së pari për evakuimin e civilëve nga zona e konfliktit, por duhet që gjithashtu të çojë te “rifillimi i konsultimeve për armëpushim të qëndrueshëm”.

Pika e 12 e marrëveshjes në një armëpushim dhe hapat drejt paqes, janë nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë më 5 shtator, por përpjekjet diplomatike për të ndalur përshkallëzimin e luftës kanë dështuar, atëherë kur Kombet e Bashkuara deklaruan se janë vrarë më shumë se 242 civilë në muajin janar.

Më 3 shkurt, komisionari për të drejtat e njeriut në OKB, Zeid Raad al-Hussein, ka ftuar të gjitha palët të ndërpresin luftën, dukë thënë se “përshkallëzimi i mëtutjeshëm do të sjellë katastrofë për 5.2 milion njerëzit që jetojnë në konflikt në lindje të Ukrainës”.

Ai tha se së paku 5,358 persona janë vrarë dhe 12,235 janë plagosur në konflikt, dhe agjencitë e OKB-së besojnë se numri aktual i vdekjeve është “konsiderueshëm më i lartë”.

Konflikti, i cili shpërtheu pasi Rusia ka konfiskuar në mënyrë të paligjshme gadishullin e Krimesë nga Ukraina marsin e kaluar, ka nxitur ashpërsimin e raporteve midis Moskës dhe Perëndimit, në shkallën më të lartë që prej Luftës së Ftohtë.

Kievi dhe Perëndimi po akuzojnë Moskën për trajnimin e rebelëve dhe dërgimin e trupave për të luftuar kundër trupave urkainase.

Luftimet u qetësuan në dhjetor, por rifilluan më 10 janar dhe dialogu i paqes në Minsk më 31 janar, u shpërbë shpejtë pas asaj që Shtetet e Bashkuara e quajtën “ofensivë e mbështetur ruse” nga rebelët.

Duke folur më 3 shkurt, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit në SHBA, Jen Psaki, tha se "pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare beson që rritja e veprimeve agresive ka ardhur nga pala ruse dhe nga ana e separatistëve të mbështetur nga rusët".

Përgatiti: Flandra Marmullaku
XS
SM
MD
LG