Ndërlidhjet

Lista Serbe vendos pas dialogut në Bruksel për pjesëmarrje në institucione


Drejtori i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka deklaruar sot në Beograd se javën që vjen, do të mbahet edhe një takim tjetër, me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për të vendosur për pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës, njoftojnë mediat në Beograd.

Pas takimit të sotëm në qeverinë e Serbisë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në qeverinë e Kosovës, Gjuriq ka thënë se takimi i ardhshëm do të mbahet pas bisedimeve në Bruksel më 9 shkurt, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi i Aleksandar Jabllanoviqit nga posti i ministrit për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, sipas Gjuriqit e ka përkeqësuar situatën para bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Sipas tij, qeveria e Serbisë nuk pranon se Jabllanoviq ka faj, duke nënvizuar se ai nuk i ka quajtur “egërsira” krejt shqiptarët dhe as politikanët shqiptarë, por ata që me gurë kanë tentuar të pengonin pelegrinët serbë për të vizituar Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, më 6 janar.

Në takimin e sotëm në Beograd kanë marrë pjesë Aleksandar Jabllanoviq, Branimir Stojanoviq, zëvendës kryeministër në qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës dhe Bratisllav Nikolliq, kryetar i zgjedhur i komunës së Shtërpces dhe kryetar i paligjshëm i emëruar nga Beogradi i po të njejtës komunë.

XS
SM
MD
LG