Ndërlidhjet

Institucionet e Kosovës të shqetësuara për migrimin


Stacioni i autobusëve në Prishtinë
Stacioni i autobusëve në Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa zhvilluan një takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së në Kosovë, me qëllim të adresimit të çështjes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës.

Zyra e presidentes njofton se Jahjaga theksoi shqetësimin e madh të institucioneve të vendit me numrin e madh të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga vendi.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës po i adresojnë me kujdes të gjitha shkaqet e shtimit të numrit të qytetarëve të Kosovës që migrojnë ilegalisht dhe po punojnë në zgjidhjen e çështjeve të hapura, në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kthimit të perspektivës së qytetarëve.

Jahjaga tha se është shqetësues fakti se "për shkak të marrëdhënieve aktuale me Republikën e Serbisë, që ka hapur të gjitha portat për daljen e qytetarëve të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimet në kufirin me Hungarinë".

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidencës, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre me rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Kosova dhe thanë se vendet e tyre po e trajtojnë me kujdes këtë dukuri të kohëve të fundit.

Ata gjithashtu thanë se Kosova duhet të përgatitet për pranimin e qytetarëve të saj pas procedurave të kthimit të tyre në Kosovë.

XS
SM
MD
LG