Ndërlidhjet

logo-print

Subotica, vend-takimi i emigrantëve me kontrabanduesit


Qytetarë nga Kosova të ndalur nga policia kufitare serbe në një fushë afër Suboticës, në përpjekje për të depërtuar në Hungari, 6 shkurt 2015 [Reuters]

Qytetarë nga Kosova të ndalur nga policia kufitare serbe në një fushë afër Suboticës, në përpjekje për të depërtuar në Hungari, 6 shkurt 2015 [Reuters]

Ekipi në Suboticë: Ognjen Zoriq, Norbert Shinkoviq, Shërbimi për Ballkanin

Në stacionin e autobusëve në Suboticë, qytet ky në veri të Vojvodinës, çdo ditë mbërrijnë rreth dhjetë autobus me qytetarë të Kosovës, qoftë përmes linjave të rregullta apo edhe jo të rregullta. Ky qytet shtrihet afër kufirit të Serbisë dhe Hungarisë, prej nga shtetas të Kosovës ia mësyjnë migrimit ilegal.

Aty para stacionit të autobusëve në Suboticë, që ndodhet 20 kilometra nga kufiri me Hungarinë, qëndrojnë grupe njerëzish, burra, gra dhe fëmijë. Në duar, mbajnë valixhe, çanta të ndryshme që kanë marrë me vete gjatë rrugëtimit Prishtinë- Beograd deri në Suboticë.

Një punonjëse kujdestare në stacionin e autobusëve, Jellica Nikoliq rrëfen se përmes linjave të rregullta, çdo ditë nga Kosova mbërrijnë dhjetë autobus në këtë qytet, por sipas saj, mbërrijnë edhe autobus përmes linjave jo të rregullta.

"Ajo që ne evidentojmë nga hyrjet në stacionin tonë, janë edhe disa linja nga Bujanovci, Beogradi..., këto janë linja jo të rregullta. Në këso linjash jo të rregullta, përmes së cilave transportohen të ardhur nga Kosova ka rreth 6, 7 apo edhe 8 autobusë", ka thënë Nikoliq për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, autobusët e këtyre linjave jo të rregullta janë dy katësh dhe mund të transportojnë deri në 70 veta, kurse përmes linjave të rregullta nga 30 - 40 persona për një autobus.

Në fillim, rrëfen Nikoliq, kishte kryesisht të rinj që e merrnin rrugën e migrimit. Kurse kohët e fundit kjo ka ndryshuar.

"Në fillim kanë qenë të rinj, kryesisht rreth të tridhjetave. Por, në dhjetë ditët e fundit vijnë kryesisht familje me foshnja e fëmijë tre apo katër vjeç. Janë familje të tëra që vijnë", rrëfen Jellica Nikoliq.

Tutje, në rrugën para stacionit janë të parkuar disa automjete. Aty shihen të rinj me çanta krahu që bisedojnë me shoferët. Madje, njëri prej vozitësve, i ofroi edhe ekipit të Radios Evropa e Lirë që t'i transportojë për 20 euro deri te një “destinacion tjetër”, duke menduar se janë emigrantë. Transporti i parë, përfshië shumën prej 20 - 30 euro, deri te një vend tjetër, ku më pas i presin grupe tjera që në shkëmbim të parave i orientojnë ata për në kufirin me Hungarinë.

Qytetarë nga Kosova të ndalur nga policia kufitare serbe në një fushë afër Suboticës, në përpjekje për të depërtuar në Hungari, 6 shkurt 2015 [Reuters]

Qytetarë nga Kosova të ndalur nga policia kufitare serbe në një fushë afër Suboticës, në përpjekje për të depërtuar në Hungari, 6 shkurt 2015 [Reuters]

"Të ofrojnë transport dhe as nuk të pyesin për ku, ngase e dinë. Transporti kushton 30 euro. Të lënë te një piceri. Aty të thonë se të presin të tjerët", ka rrëfyer një qytetar nga Kosova.

Ky lokal, për të cilin flasin emigrantët, ndodhet në Paliq, një vend i njohur si destinacion turistik që ndodhet 10 kilometra larg Hungarisë. Por, ky nuk është vendi i vetëm ku dërgohen këta njerëz, pasi që ka edhe destinacione tjera që shpiejnë drejt Hungarisë.

Përgjatë rrugës kryesore në Paliq, shihen grupe njerëzish me valixhe në duar.

RFE: Prej nga po vini?

Qytetari: "Nga Kosova, Prishtina".

RFE: Si keni ardhur këtu?

Qytetari: "Me autobus".

RFE: E për ku jeni nisur?

Qytetari: "Tash po shkojmë diku të kalojmë natën, në hotel".

RFE: Çfarë planesh keni?

Qytetari: “Nuk e di … sikurse edhe të tjerët. Dimë vetëm atë që kemi parë në televizor, s'dimë tjetër. Të shohim... ndoshta dikush do të na tregojë se në cilin drejtim të shkojmë”.

Një banor, tregon se grupe të tilla i sheh çdo ditë dhe se shumica prej tyre shkojnë drejt një shtëpie që ndodhet rreth 500 metra larg rrugës kryesore. Dhe ashtu ishte, për pak kohë, para asaj shtëpie shiheshin njerëz me valixhe duke pritur.

Ndonëse disa qytetarë të Kosovës, të cilët ekipi i Radios Evropa e Lirë i kishte takuar në Ashothalom të Hungarisë pendoheshin pse kishin marrë atë rrugë, të ardhurit e ri përmes Suboticës thonë se megjithatë shpresojnë se do ta kalojnë këtë aventurë të rrezikshme,”drejt një jete më të mirë”.

"Me 75 euro nuk jetohet. Kam tre fëmijë. Unë dhe gruaja fitojmë 75 euro. Dhe çka të bëjmë me to", shtron pyetjen dhe dilemën njëri nga ata që kishte marrë këtë rrugë. Ndërkohë që ndërhyn edhe një qytetar tjetër, duke thënë se në Kosovë kanë një jetë shumë të rëndë.

"Nuk kemi para për miell. vetëm të kem një vend pune. Çfarëdo pune, jo punë çfarë kanë në Gjermani e Evropë...Ne nuk jemi Evropë. Ne jemi të varfër", ka thënë ky qytetar.

Përgatiti: Zijadin Gashi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG