Ndërlidhjet

Ukrainë: Armëpushim i shkurtër në Debalceve

  • RFE /RL

Zyrtarë qeveritarë në Ukrainë dhe separatistët pro-rusë raportohet se janë pajtuar për një armëpushim të shkurtër humanitar rreth qytetit lindor, Debalceve.

Kjo marrëveshje e përkohshme ishte shpallur derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande, kanë bërë presion për arritjen e planit të ri për paqe, me të cilin do të përfundonte kriza në Ukrainë.

Zyrtari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Vyacheslav Abroskin, i tha agjencisë së lajmeve, AFP, se armëpushimi ishte arritur për lejimin e evakuimit të civilëve të rrethuar.

Separatistët pro-rusë thanë se gjatë armëpushimit të sotëm, tashmë civilët me autobusë janë larguar nga qyteti Debalceve.

Më herët, agjencia Reuters ka raportuar se disa autobusë të zbrazët të përcjellë nga monitoruesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ishin nisur për në këtë qytet, i cili gjendet në një rrip të ngushtë tokësor në rajonin Donjeck, që është nën kontrollin e separatistëve pro-rusë.

Por, qyteti Debalceve është nën kontrollin e qeverisë së Ukrainës.Ky qytet ishte skenë e luftimeve të rënda për disa javë, meqë separatistët pro-rusë kishin ndërmarrë ofensivë, për të cilën ata thonë se kishte për qëllim marrjen e kontrollit të plotë ndaj rajonit Donjeck.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollandde, kanë udhëtuar për në Moskë për takim me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për diskutim lidhur me një plan paqësor për përfundimin e dhunës në rritje të separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës.

Aktualisht nuk janë paraqitur detaje të këtij plani, por presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se bisedimet me zonjën Merkel dhe zotin Hollande në Kiev, i kanë shtuar “shpresat për armëpushim” në pjesën lindore të Ukrainës.

Kjo vizitë paraqet përpjekjen më të madhe deri tash në synimin për mbylljen e konfliktit 10 mujor, nga i cili janë vrarë më se 5,350 vetë, prej muajit prill të vitit të kaluar, kur filloi konflikti i armatosur.

Sot ushtria e Ukrainës ka njoftuar se kryengritësit kanë ndërmarrë më se 100 sulme kundër pozicioneve të armatës në pjesën lindore të Ukrainës, gjatë 24 orëve të kaluara, me ç’rast janë vrarë dy ushtarë dhe janë plagosur 26 të tjerë.

Gjatë ditës së djeshme në Kiev ka qëndruar edhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry. Pas takimit me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, ai tha se Uashingtoni e mbështet diplomacinë, por “nuk mund t’i mbyllë sytë kur tanket ruse e kalojnë kufirin” në Ukrainë.

Kerry tha se “agresioni i vazhdueshëm i Rusisë në lindje” është kërcënimi më i rëndë me të cilin ballafaqohet Ukraina.

Kerry e ka sjellë një ndihmë humanitare të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, në shumë prej 16.4 milionë dollarë.

Zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se presidenti amerikan, Barack Obama, së shpejti do të vendos nëse në Ukrainë do të dërgohet armatim vdekjeprurës për të luftuar kundër separatistëve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Uashingtoni vazhdon mbështetjen për gjetjen e “zgjidhjes diplomatike” për krizën në Ukrainë.

“Ne sinqerisht e inkurajojmë dhe i mbështesim përpjekjet aktuale për gjetjen e zgjidhjes diplomatike paqësore për konfliktin në Ukrainë. Një shqetësim që ne e kemi, megjithatë, është se përpjekjet e mëparshme diplomatike kanë rezultuar me marrëveshje, të cilat rusët dhe separatistët, që ata i mbështesin në pjesën lindore të Ukrainës, nuk i kanë respektuar”, tha Josh Earnest.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Aleksandr Lukashevich, ka tërhequr vërejtjen se çfarëdo lëvizje e Shteteve të Bashkuara për të dërguar armatim në Ukrainë, do të shkaktonte “dëm kolosal” në raportet ruso-amerikane.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG