Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

  • RFE /RL

Këshilli i Sigurimit, foto nga arkivi

Këshilli i Sigurimit, foto nga arkivi

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi të premten për raportin e fundit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, në lidhje me situatën në Kosovë.

Në raportin e rregullt tremujor, Ban u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejtë të krijojnë Gjykatën Speciale për krime lufte.

Duke përshëndetur formimin e institucioneve të Kosovës, zoti Ban, në raportin e tij ka shprehur shqetësimin edhe për numrin e madh të migrantëve që kanë lënë Kosovën në muajt e fundit.

Ai po ashtu ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që sa më shpejt të angazhohen në dialogun për normalizim e marrëdhënieve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi në fjalimin e tij, i bëri thirrje Serbisë të fillojë hetimin e krimeve të luftës të dokumentuara javën e kaluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd.

Ai tha se në prag të përvjetorit të shtatë të pavarësisë, Kosova tashmë është shtet të konsoliduar, brenda dhe jashtë, derisa procesi i njohjes ka dëshmuar se shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një faktor i domosdoshëm i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Zoti Thaçi akuzoi Serbinë për vonesat në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve dhe kjo sipas tij “tregon se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga synimet dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës”.

Në këtë kontekst, në fjalimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës u ngrit edhe çështja e kombinatit "Trepça", për të cilën ai tha se "Trepça është e Kosovës dhe Kosova vendos për Trepçën".

Ai shtoi Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për vazhdimin e bisedimeve.

“Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe zonës Euro-Atlantike, do të vazhdojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian si prioritet shtetëror në funksion të zhvillimit dhe transformimit shoqëror, ekonomik dhe politik të Kosovës”, ka theksuar ai.

Thaçi tha gjithashtu tha se "Kosova synon të jetë një vend qe kontribuon në sigurinë kolektive dhe në vazhdimësi jemi përkushtuar për të fuqizuar arkitekturën e paqes dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Në këtë drejtim kemi ndërmarrë rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë në Kosovë, dhe tani po bëjmë përgatitjet e koordinuara për tranzicion nga Forcat e Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës".

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Serbia, pas formimit të qeverisë në Prishtinë, pret tejkalimin e boshllëkut politik që do të duhej të ndihmonte vazhdimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Brukselit.

Ai tha se Beogradi pret që Bashkimi Evropian të vazhdojë lehtësimin e bisedimeve me Prishtinën.

“Besojmë se përkushtimi ndaj integrimeve evropiane paraqet forcën kryesore lëvizëse drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha ai duke shprehur përkushtimin e qeverisë së tij për zbatimin e marrëveshjeve “në interes të paqes, rimëkëmbjes ekonomike dhe pajtimit”.

Ministri serb u shpreh i kënaqur që në raportin e sekretarit të përgjithshëm është përfshirë rëndësia e themelimit të Bashkësisë së Komunave serbe si një nga çështjet kryesore të procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

“Dua të theksoj se në vazhdim të bisedimeve me Prishtinën, për Serbinë çështje kryesore mbeten kthimi i të zhvendosurve, pozita e Kishës Ortodokse serbe dhe çështja e pronave”, tha Daçiq

XS
SM
MD
LG