Ndërlidhjet

“Shkupi 2014”, projekt i tensioneve dhe shpenzimeve marramendëse


Pamje nga Shkupi...
Pamje nga Shkupi...

Një nga projektet më të diskutueshme që nga pavarësia e Maqedonisë, “Shkupi 2014”, pavarësisht paralajmërimeve të Qeverisë, nuk ka përfunduar në vitin 2014.

Madje, ky projekt vlerësohet se nuk do të përfundojë as këtë vit, ndërkohë që mbetet enigmë kostoja e tij duke ngritur dyshimin e ekspertëve dhe të partive opozitare për shpenzimin qindra milionave euro në mënyrë kundërligjore, pa tender, pa marrëveshje të qarta, pa plan të detajuar urbanistik, pa pëlqimin e institucioneve përkatëse, me prishjen e shumë parqeve, si dhe shkelje tjera të shumta ligjore.

Projekti i quajtur “Shkupi 2014” konsiston në ngritjen e përmendoreve të shumta në sheshin e kryeqendrës, të ndërtesave të reja si dhe ndryshimin e fasadave të thuajse të gjitha ndërtesave në stilin barok.

Qeveria asnjëherë nuk ka dalë me ndonjë llogari të qartë financiare, e as me një plan se çfarë parashihet të ndërtohet, apo se kur mund të përfundojë ky projekt që shpeshherë ka qenë objekt i tensioneve, protestave e reagimeve të ndryshme për shpenzimin e miliona eurove në kohën kur Maqedonia përballet me papunësi të lartë dhe krizë të thellë ekonomike.

Nga Lidhja Social-Demokrate thonë se për t’i mbuluar keqpërdorimet e shumta financiare tani, në vend të Qeverisë, si financues i projektit, paraqitet Bashkia e Shkupit.

“Projekti ‘Shkupi 2014” nuk ka përfunduar në vitin 2014. Ky projekt i pafund do të vazhdojë edhe këtë vit. Autori është i njëjtë, Nikolla Gruevski, ndryshon vetëm ekzekutuesi, e ai është kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Gjatë këtij viti, nëpërmjet bashkësisë janë paraparë të shpenzohen mbi 46 milionë euro për luks e gjëra të panevojshme, si për fasada në stilin barok, përmendore, salla koncertesh dhe zyra luksoze të pushtetarëve”, thotë nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.

Sipas tij, është absurd shpenzimi i qindra milionave euro kur kihet parasysh se banorët e Shkupit kanë nevoja të tjera shumë më parësore sesa përmendoret.

Madje, shoqata të ndryshme, por edhe parti opozitare kanë dalë me vlerësimin se për këtë projekt janë shpenzuar deri 1 miliard euro.

“Ne propozojmë që këto para të shpenzohen në masa për uljen e ndotjes së ajrit, shkolla të reja, ujësjellës për ato pjesë të qytetit që ende nuk marrin ujë nga ujësjellësi qendror, subvencioneve për efikasitet energjetik, transport falas publik për studentët, ndërtimin e stacioneve filtruese e projekte tjera në interes të banorëve”, vlerëson Mançevski.

Projekti “Shkupi 2014” shumë herë ka qenë objekt i përplasjeve të thella ndërmjet partive politike shqiptare, se cila prej tyre i ka dhënë mbështetje nisjes së këtij projekti kundërthënës.

Në sheshin kryesor të Shkupit dhe pjesë tjera të kryeqendrës janë vendosur qindra përmendore të personalieve maqedonase, por ende asnjë shqiptar, veprim ky që ka nxitur edhe më shumë reagime te popullata shqiptare. Kritika ka edhe sa i përket tentimit për ndryshimin e historisë, e në veçanti nga Greqia dhe Bullgaria, të cilat akuzojnë Qeverinë për përpjekje për përvetësimin e historisë së tyre me vendosjen e përmendoreve të shumë personaliteteve të diskutueshme në të kaluarën.

Xhelal Neziri, aktivist dhe njohës i çështjeve politike, thotë se ky projekt është i lidhur ngushtë me korrupsionin, andaj edhe vështirë se do të ndalet pa ndërrimin e kësaj qeverie. Madje ai thotë se ka informacione se rreth 100 përmendore të reja tashmë janë porositur.

Mendoj se ky projekt ka një lidhje të ngushtë me korrupsionin, andaj edhe pjesa më e madhe e funksionarëve e heshtin realizimin e këtij projekti. Nuk mendoj se pas rënies së kësaj qeverie ato statuja do të vazhdojnë të qëndrojnë në atë vend. Mendoj se do të ndodhë si në ish-vendet komuniste ku statujat u rrëzuan apo u vendosën nëpër depo të ndryshme dhe tani shërbejnë si atraksion për turistët”, thekson Neziri.

“Shkupi 2014” është projektuar në vitet 2005-2006 dhe kishte si qëllim që përmes ngritjes së përmendoreve, të forcoj identitetin kombëtar maqedonas sikur edhe përmes fasadave të ndërtesave në stilin barok, porekspertët dhe njohësit e çështjeve politike thonë se projekti tashmë ka treguar efekt të kundërt, duke rritur përçarjet në shoqëri, duke tensionuar marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe duke rritur kritikat si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë, për afera të shumta korruptive që vazhdojnë ta përcjellin këtë projekt kundërthënës.

XS
SM
MD
LG