Ndërlidhjet

Merkel: Perspektivë “e mjegulluar” për konfliktin në Ukrainë

  • RFE /RL

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë fjalës së saj në konferencën e 51-të për Sigurinë mbajtur në Mynih, 7 shkurt , 2015.

Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë fjalës së saj në konferencën e 51-të për Sigurinë mbajtur në Mynih, 7 shkurt , 2015.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të shtunën se perspektiva për paqe në Ukrainë mbetet e mjegulluar edhe pas bisedimeve me presidentin rus, Vladimir Putin.

Merkel ka folur të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, ku ka dominuar tema rreth konfliktit në Ukrainë, konflikt i cili deri më tani ka marrë jetën e së paku 5 mijë e 350 personave.

Komentet e udhëheqëses gjermane në Munich janë bërë disa orë pasi që ajo është kthyer nga Moska, ku së bashku me presidentin e Francës, Francios Hollande, kanë paraqitur planin e paqes te presidenti Putin, derisa gjatë së enjtes të njëjtin plan e kanë diskutuar në Kiev me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.

“Pas bisedimeve të djeshme në Moskë, ku isha së bashku me presidentin francez, nuk është e sigurt nëse do të ketë sukses”.

“Askush nuk është i interesuar për një ndarje të re të Evropës. Dhe, shumë më pak për një konfrontim që rrezikon të përshkallëzohet në mënyrë të pakontrollueshme. Ne duam të krijojmë siguri në Evropë me Rusinë, jo kundër Rusisë”, ka deklaruar Merkel.

Presidenti Hollande ka thënë se iniciativa franko-gjermane është “njëra nga shanset e fundit” për paqe.

Nëse ne nuk arrijmë të gjejmë jo vetëm një kompromis, por edhe një marrëveshje të qëndrueshme të paqes, ne e dimë shumë mirë se çfarë skenari do të jetë. Ai (skenari) e ka një emër dhe quhet luftë”, është shprehur Hollande.

I pyetur me të arritur në Mynih nëse plani i paqes mund të funksionojë, presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka thënë “PO”.

Merkel, Poroshenko dhe nënpresidenti amerikan Joe Biden do të bisedojnë mbrëmjen e së shtunës, në Mynih, përkitazi me këtë çështje.

Duke qenë në qendër të vëmendjes si përfaqësuesi më i lartë i Rusisë në Mynih, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se ka qenë një mundësi e mirë që të prodhohet një marrëveshje e paqes pas bisedimeve të freskëta diplomatike, por ai e akuzoi Perëndimin se po e inkurajon Kievin që me forcë t’i mposhtë separatistët.

Merkel dhe Hollande ishin larguar nga Moska pa folur publikisht dhe pa dhënë asnjë detaj rreth përmbajtjes së negociatave me udhëheqësin rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se presidenti rus, gjatë takimit që është mbajtur më 6 shkurt, ka zhvilluar biseda “konstruktive, informative dhe thelbësore”.

Peskov ka bërë të ditur se udhëheqësit janë dakorduar që të vazhdojnë të takohen, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes për armëpushim, e cila është arritur në Moskë, më 5 shtator. Sipas tij, në dokument do të përfshihen propozimet nga Putini dhe presidenti ukrainas, Petro Poroshenko.

Gjatë së dielës, sipas Peskovit, Putin, Merkel, Hollande dhe Poroshenko, do të bisedojnë në telefon.

Komandanti i lartë ushtarak në NATO, amerikani Philip Breedlove, të shtunën në Munich i ka vlerësuar si “krejtësisht të papranueshme” propozimet e Putinit të bëra kohëve të fundit.

Ndërkaq, janë dhënën shumë pak detaje të propozimeve që Putin i ka paraqitur në një letër dërguar Petro Poroshenkos në mes të janarit.

Por, mediat dhe diplomatët kanë thënë se Putini ka kërkuar që rebelët të mbajnë kontrollin mbi pjesët që tashmë i kanë marrë në lindje të Ukrainës

Pas bisedimeve mes kancerlares Merkel dhe presidentit francez, Hollande, me presidentin rus, Putin, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se kanë parë pak shenja të ndryshimit të sjelljeve nga ana e Kremlinit, të cilit qeveritë perëndimore po i kërkojnë të heqë dorë nga mbështetja për separatistët.

Unë nuk po them që është shenjë e mirë që ata (rusët) vetëm janë duke dëgjuar”, është shprehur zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, duke shtuar se: “Ata kanë dëgjuar. Ata thjesht nuk po veprojnë”.

“Ne dhe partnerët tanë kemi qenë të hapur për faktin se kemi rrugë diplomatike para vetes. Problemi nuk qëndron që nuk ka mundësi diplomatike, problemi qëndron te Rusia, e cila nuk është angazhuar për këto rrugë diplomatike”, ka shtuar Harf.

Separatistët në lindje të Ukrainës e kanë marrë kontrollin mbi qindra kilometra katrorë që nga arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Minsk të Bjellorusisë, më 5 shtator.

Veprimin e separatistëve, Shtetet e Bashkuara e quajnë “ofensivë të mbështetur nga Rusia”

Qindra civilë janë vrarë që nga fillimi i këtij viti, ndërsa mijëra të tjerë janë detyruar që në mes të dimrit, t’i braktisin shtëpitë e tyre posaçërisht rreth Debalceve, qytet i kontrolluar nga forcat qeveritare, të cilin duan ta marrin rebelët pro-rusë.

Disa qeveri perëndimore kanë thënë se nuk do ta armatosin Ukrainën, ndërsa kanë vënë pikëpyetje nëse një gjë të tillë duhet ta bëjë SHBA-ja.

“Unë e kuptoj debatin, por nuk besoj që nuk na duhen më shumë armë për një përparim për të cilin ka nevojë në Ukrainë. Numri i armëve është shumë i madh në rajon dhe kjo nuk na çon atje ku unë e shoh zgjidhjen”, ka deklaruar Merkel gjatë konferencës të së shtunës, në Mynih.(s.bajrami)

XS
SM
MD
LG