Ndërlidhjet

logo-print

Ligj për mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të dërgojë në Kuvend ligjin, i cili parasheh mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe përmbylljen e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se ky ligj do të përcaktojë kohën se kur do të përfundojë procesi i privatizimit.

“Ky ligj do të përcaktojë një afat kohor 2-vjeçar apo 3-vjeçar, për aq sa do të jetë e nevojshme, por do ta dimë saktë vitin se kur do të mbyllet AKP-ja. Ato ndërmarrje që janë në privatizim, duhet të privatizohen, e ato që nuk ka interesim t’i privatizojë dikush, duhet të shkojnë në proces të rregullt të likuidimit”, ka bërë të ditur Hoti.

Sipas tij, mjetet që janë mbledhur në fondin e privatizimit duhet të lirohen pas përfundimit të këtyre proceseve dhe të përdoren për strategjinë zhvillimore të Kosovës, strategji kjo që paraqet zhvillimin ekonomik të vendit.

Hoti ka theksuar se Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme duhet të jetë të jetë shumë më efikase për të trajtuar kërkesat e kreditorëve potencialë ndaj atyre ndërmarrjeve që janë privatizuar, ose që janë në proces të privatizimit.

“Derisa nuk pastrohet kjo çështje, është vështirë të përdoren këto fonde”, ka theksuar Hoti.

Sa i përket futjes së Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale në funksion të ekonomisë të tregut, Hoti ka thënë se kjo është çështje tjetër, pasi që ato para nuk janë para publike, por janë para të qytetarëve që i kanë kursyer.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se nëse do të ishte krijuar një ambient më i mirë ligjor në Kosovë, edhe Bordi i Trustit të Kursimeve Pensionale, ato para do t’i fuste në tregjet financiare në Kosovë, e që sipas tij, do të ishte në të mirë të ekonomisë së vendit.

Janë mbi një miliard euro mjete financiare të Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, të cilat mbahen ose të ngrira ose të investuara në tregjet ndërkombëtare, mjete këto të cilat asnjëherë nuk u investuan në projektet zhvillimore të vendit.

Ekspertët e çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë potencuar se sikur këto mjete të ishin hyrë në funksion nëpërmjet sistemit bankar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, efektet në ekonomi do të ishin shumë më të mëdha.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se këto mjete të fondit të Privatizimit në Kosovë do të kishin nxitur investime dhe do të krijoheshin vende të reja të punës.

Këto mjete janë të ekonomisë së Kosovës dhe është dashur që nëpërmjet këtyre mjeteve, të krijohen kushte për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sa di unë, me këto mjete nuk është investuar asnjë cent. Po të ishin kthyer këto mjete të fondit në Kosovë, do të krijoheshin kushte më të mira për vende të punës”, ka vlerësuar Limani.

Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati premtuar se me këto mjete do të themelojë Fondin zhvillimor për ndërmarrësi dhe punësim. Ky fond, siç kishte deklaruar Thaçi gjatë fushatës zgjedhore, do të krijojë mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, duke përdorur praktikat më të mira investuese.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG