Ndërlidhjet

Punësim sezonal gjatë këtij viti


Ilustrim(©Shutterstock)

Ilustrim(©Shutterstock)

Autoritetet kompetente në Prishtinë kanë filluar kontaktet me vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të arrijnë marrëveshje për punësim të përkohshëm të punëtorëve në mënyrë të organizuar.

Për këtë çështje, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve ka thënë se tashmë ka filluar kontaktet më disa shtete dhe siç ka thënë ai, indikacionet e para janë pozitive.

Ky projekt, ka thënë ministri Abrashi, do të ndikojë në mirëqenien financiare, por edhe në ngritjen e shkathtësive dhe trajnimeve në disa fusha që janë të nevojshme në tregun e punës në Kosovë.

“Kemi filluar me shtetet skandinave dhe me shtetin e Zvicrës, besoj se edhe te shtetet rajonale do të hasim në mirëkuptim. Kontaktet, indikacionet e para janë pozitive. Duhet të kuptojmë se kjo nuk është politikë e qëndrueshme dhe afatgjatë, por sado pak do të ndikojë në mirëqenien e qytetarëve, si në mirëqenien materiale, gjithashtu edhe në ngritjen e aftësive”, ka thënë Abrashi.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ofrojë punësim sezonal jashtë vendit për qytetarët e Kosovës, edhe pse ekzekutivi i Kosovës ka një bashkëpunim për punësim sezonal më shtetin e Gjermanisë, kurse marrëveshje të nënshkruar ka me Zvicrën dhe Principatën e Litershtanjit.

Punësimi i përkohshëm në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian vazhdimisht është konsideruar projekt i nevojshëm edhe nga ekspertë për çështje ekonomike dhe sociale.

Eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, equan zgjidhje të mirë punësimin sezonal, për shkak se tregu i punës në Kosovënuk mund të pranojë numrin e madh të punëkërkuesve.

“Në këtë formë do të ofrohej një mundësi dhe do të jetë më atraktive për njerëzit që të qëndrojnë përkohësisht për të punuar dhe më pas të kthehen në vendin e tyre”.

“Kjo formë është zgjidhje ideale, me qenë se Kosova për momentin nuk po mund të gjenerojë 40 mijë vende të punës, të cilat janë të domosdoshme për një perspektivë për të rinjtë, të cilët përfundojnë universitetin ose janë të papunë”, vlerëson Musa.

Musa, ndërkaq, shprehet se nga punësimi i përkohshëm, përveç mjeteve materiale qytetarët mund të përfitojnë edhe një përvojë të re të punës, të cilën më pas mund të praktikojnë edhe në Kosovë.

“Në një formë, ky potencial do të kthehet në Kosovë, të cilët do të gjejnë një vend të punës, ose me mjetet e fituara, do të investojnë në Kosovë”, thekson Musa.

Ndryshe, sipas regjistrimit, të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG