Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Jorganxhinjtë, zeje në zhdukje


Jorgan punëdore

Jorgan punëdore

Rruga e jorganxhinjve, si një nga rrugët më të frekuentuara të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në vitet 60 të shekullit të kaluar me 15 dyqane jorganxhinjsh, tani frymon qetë, duke lëvizur fare pak ndonjë kalimtar, rrëfen punuesi i jorganëve Mazllam Halili, i cili mban dyqanin e vetëm të regjistruar në veprimtarinë e kësaj zeje në Shkup.

Ai na tregon se në dhjetor të këtij viti, dyqani i tij i trashëguar nga gjyshi, mbush plot 110 vjet, të cilin dyqan e ka hapur pas një pune me po këtë zeje nga Gjakova, që nga viti 1905.

​“Prindi im e ka punuar këtë zeje. Në atë kohë prindërit nuk i kanë lënë fëmijët në rrugë, të humbin kohën ashtu. Që nga klasa e parë, më 1958, kam filluar të punoj për çdo ditë në këtë dyqan, gjysmë dite në shkollë, gjysmë dite në dyqan. Vazhdova Shkollën e Mesme të Tekstilit në Tetovë, pastaj përfundova studimet në Shkollën e Lartë të Tekstilit, në Zagreb”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë, Mazllam Halili, zejtar.

Jorganxhiu Mazllam Halili thotë se pavarësisht asaj se gjithnjë e më pak shpërblehet puna, atë nuk e lë ndërgjegjja që të mos i qaset me përkushtim punës në dyqan për çdo ditë.

Mazllam Halili

Mazllam Halili

“Po ta merrni realisht, një e treta e jetës së njeriut kalon në gjumë, pikërisht kjo e bën të rëndësishëm faktin se me çka do të mbulohet, çfarë dysheku e jorgani do të përdorë, prandaj ka qenë i vlerësuar zanati ynë si jorganxhinj ashtu sic është në gjithë botën".

"Mirëpo, në vendet e zhvilluara, zeja jonë është zhvilluar duke kaluar në industri. Këtu zeja jonë mbetet punë individuale se fëmijët u shkolluan në drejtime të tjera dhe nuk ishin të interesuar të merren me këtë lloj zeje”, tregon mjeshtër Halili.

Teksa flet me dashuri për zanatin që ka, jorganxhiu Halili nuk e fsheh dot shqetësimin për të ardhmen e këtij zanati, si rrjedhojë e mallrave të ardhura nga Lindja e afërt dhe ajo e Largët. Ai me dhembje na shpjegon se jorganxhi nuk ka as në Prishtinë, e as në Beograd dhe druan se, ky zanat edhe në Shkup i ka ditët e numëruara, sepse askush nuk dëshiron ta trashëgojë këtë zeje.

“Jo, nuk ka të interesuar. Mbi të gjitha, edhe atyre, e që janë pak, të cilët kohë pas kohe i sjellin fëmijët për ta mësuar këtë zeje, unë me sinqeritet u tregoj se ky zanat nuk ka shumë perspektivë”, rrëfen jorganxhiu Mazllam Halili.

Ai tregon se si më parë ka marrë shumë porosi për jorganë të punuar me fije natyrale nga leshi. Sot, thotë mjeshtri Halili, ende ka çifte që ia dinë vlerën jorganit, dhe për dasma porosisin jorganë të këtillë, pavarësisht se janë shumë më të shtrenjtë se ata të punuar nga fijet sintetike.

E derisa flet, i shkon buza në gaz dhe tregon se edhe djali i tij për dasmë ka preferuar një dhuratë, të këtillë, jorgan të punuar nga duart e të atit:

“Tash do ta martoj djalin e madh dhe unë ia kam qepë me dorë jorganin e shtratit bashkëshortor”.

”Meqë jam specialist i këtij zanati dhe jam shkolluar në këtë lëmi, jam i vetmi që prodhoj jorganë me fije natyrale pambuku dhe leshi”, rrëfen usta Mazllami, duke na treguar se blerësit më të shumtë janë studentët e huaj.

Dyqani i jorganxhiut Mazllam Halilit është i vetmi dyqan i hapur në "Rrugën e jorganxhinjve" , në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Dyqani i jorganxhiut Mazllam Halilit është i vetmi dyqan i hapur në "Rrugën e jorganxhinjve" , në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

​E, pos studentëve, ai përmend edhe ish-ambasadorin amerikan në Beograd, Warren Zimmerman, i cili në vitin 1991, ka preferuar të blejë një jorgan me fije natyrale nga leshi e pambuku.

Ndryshe, kontrollet e shumta nga ana e Inspektoratit shtetëror që kanë për qëllim të luftojnëkonkurrencën jolojale, për të cilën është zotuar dhe vetë ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Bekim Neziri, kanë bërë që nga rreth 800 sosh, aq sa janë në Çarshi, një pjesë e madhe e dyqaneve mbeten të mbylluraashtu siç është rasti edhe në Rrugën e jorganxhinjve.

XS
SM
MD
LG