Ndërlidhjet

Dialog për temat pezull apo për Listën Serbe?


Bruksel...
Bruksel...

Takimi i 9 shkurtit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë, do të shënojë vazhdimin e dialogut ndërmjet dy vendeve, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Dialogu Kosovë - Serbi, në vazhdim do t’i ketë dy figura të reja, kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, ndërkohë që palën serbe do të vazhdojë ta përfaqësojë kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht agjenda e takimit të 9 shkurtit në Bruksel, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se pritet të bisedohet për çështjet e papërfunduara, si dhe për çështje, të cilat kanë qenë aktuale së fundmi.

Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, që më parë patën paralajmëruar se në takimin e 9 shkurtit në Bruksel, do të diskutohen dy tema.

“Do të thotë, përmbyllja e temës së gjykatës në veri, që do të thotë më tepër, që të merren vesh për planin e veprimit, si dhe të ketë përparim në detajet tjera për sa i përket kodit telefonik të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, ngrihen dyshime se në çfarë mase BE-ja dhe zonja Mogherini, në këtë rast, janë strikte në temat që do të bisedohen dhe se a do të shtyjnë përparimin në këto tema apo thjesht, do ta ofrojnë një hapësirë për bashkëpunim dhe për marrëveshje edhe tjera, nëse të dyja palët pajtohen”, thotë Malazogu.

Por, Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në takimin e 9 shkurtit në Bruksel, palët nuk do të kenë kohë për t’u marrë me temat e lëna pezull që nga takimet e fundit.

Sipas tij, mungesa, deri më tash, e një agjende të qartë për takimin e 9 shkurtit, jep sinjal se Mogherini dhe zyra e saj, dëshirojnë që takimin ta shfrytëzojnë për matjen e pulsit të dy liderëve, si dhe për të parë se cilat janë pozicionet eventuale pas një pushimi të gjatë të dialogut.

Korenica vlerëson se shkarkimi i Aleksandar Jabllanoviqit nga Qeveria e Kosovës (si dhe zhvillimet e mundshme pas këtij shkarkimi) do të reflektohet dhe imponohet si temë në takimin e 9 shkurtit në Bruksel.

“Besoj se zonja Mogherini, por edhe dy liderët ( Mustafa dhe Vuçiq) pikë të parë të diskutimit do ta kenë çështjen e Listës Serbe dhe reflektimet që ajo do të ketë ndaj Qeverisë së Kosovës, pas largimit të Jabllanoviqit nga Qeveria e Kosovës”.

“Natyrisht, në këtë pikë, besoj se edhe do të përqendrohet një pjesë shumë madhe e diskutimeve ndërmjet zotit Mustafa dhe Vuçiqit, meqë ky është edhe paralajmërim që ka ardhur nga Qeveria e Beogradit, si njëfarë kushtëzimi që ata kanë ndaj vazhdimit të mëtejshëm të dialogut me Kosovën”, vlerëson Korenica.

Ndryshe, Malazogu thekson se në qoftë se dialogu do ta ketë formatin ku Bashkimi Evropian nuk do të mbajë qasje të prerë dhe imponuese në dialog, në mënyrë që me çdo kusht të shtyjë përparimin, atëherë procesi i dialogut do të jetë i stërzgjatur dhe me mospajtime.

Në anën tjetër, Korenica thotë se pala e Kosovës po shkon në dialog pa strategji të qartë dhe pa konsultim paraprak me Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG