Ndërlidhjet

"Qeveria e Kosovës, çështjen e liberalizmit të vizave duhet ta shndërrojë në prioritet nacional në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së dhe jo ilegalisht siç janë duke vepruar", kanë deklaruar të hënën drejtuesit e Grupit për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë.

Në një konferencë për media, ata theksuan nevojën e shpejtë të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, për liberalizmin e vizave.

Dren Doli nga ky Grup, tha se aktualisht janë tri çështje për të cilat Qeveria duhet të punojë shumë, e të cilat çështje, sipas tij, çojnë në drejtim të liberalizimit të vizave.

“Çështja e parë që duhet adresuar është se Qeveria e Kosovës, e ka të nevojshme që procesin e liberalizimit të vizave ta shndërrojë në prioritet nacional. Çështja e dytë e rëndësishme ka të bëj më migrimin dhe ndikimi që migrimi do të ketë në vendimin përfundimtar për liberalizim. Çështje tjetër e rëndësishme që lidhet me migrimin ka të bëjë me numrin e kërkesave për azil në vendet e zonës Schengen”, tha Doli.

Ai ka theksuar se kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian janë shumëfishuar dhe kjo sipas tij, do ta vështirësojë në masë të madhe mundësinë që Kosova të marrë një mesazh pozitiv nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian në korrik të vitit 2014, ka prezantuar raportin e tij të dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Në raport është thënë se Kosova ka arritur progres, por kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.

Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka përmendur disa nga obligimet dhe detyrat që Kosova dhe institucionet e saj ende nuk kanë përmbushur, ashtu siç kërkohet.

“Që në fillim të këtij procesi të liberalizimit, ka qenë ri-integrimi dhe riatdhesimi. Ky është një proces i rëndësishëm, pasi të gjithë qytetarët që kthehen, duhet të arrijnë dhe të kenë një ri-integrim në shoqëri. Siç po shihet, ata pasi kthehen po tentojnë të migrojnë përsëri, pasi që nuk po arrijnë ta gjejnë veten në Kosovë dhe janë të papunë”, tha Merja.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, i kanë hedhur poshtë deklaratat se nuk është duke u punuar në çështjen e riatdhesimit dhe ri-integrimit.

Ata thonë se korniza ligjore nacionale për ri-pranim është kompletuar.

Kosova deri më tani ka nënshkruar 20 marrëveshje dypalëshe të ri-pranimit me 22 vende: 18 shtete anëtare të BE-së, 2 shtete të asociuara me BE-në dhe 2 shtete të Ballkanit, kurse dy marrëveshje të tjera janë në proces e sipër.

Sipas tyre vetëm në tremujorin e parë të vitit 2014 janë ri-pranuar 1,034 persona.

Sa i përket ri-integrimit të qëndrueshëm, politikat janë përmirësuar vazhdimisht, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Integrimieve për Radion Evropa e Lirë.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane, nuk ka mohuar faktin se çështja e migrimit ilegal do të jetë një sfidë për Kosovën.

Ai duke folur për përmbushjen e kritereve për liberalizim, theksoi se raportet e fundit nga institucionet përgjegjëse kanë treguar se Kosova është në fazën përmbyllëse të përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit.

“Si hap i fundit në kuadër të këtij dialogu për liberalizim të vizave, Komisioni Evropian pret nga ne që të dërgojmë një raport me përmbushjen e rekomandimeve të fundit që ata na i kanë dhenë ne verën e vitit të kaluar. Është në interesin tonë që këtë raport ta dërgojmë vetëm atëherë kur ne jemi të sigurtë që kemi bërë gjera të nevojshme. Indikacionet janë që këtë ta bëjmë brenda pjesës së parë të këtij viti”, tha Ilazi duke shtuar se liberalizmi i vizave është prioritet nacional dhe shtetëror i qeverisë.

Komisioni Evropian ka lansuar dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Udhërrëfyesi për viza i është dorëzuar autoriteteve të Kosovës më 14 qershor 2012. Ai paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash, të cilat Kosova është kërkuar t’i përmbushë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG