Ndërlidhjet

Trajtimi i emigrantëve nga Kosova, në gjykatat serbe


Rritja e numrit të kalimeve ilegale të kufirit Serbi -Hungari nga ana e shtetasve të Kosovës, ka bërë që autoritetet serbe të shtrëngojnë masat ndaj këtij fenomeni.

Qyteti më i prekur nga emigrantët që kalojnë nga Kosova për në Serbi dhe më pas mësyjnë Hungarinë, është Subotica, një qytet në veri të Vojvodinës. Aty, emigrantët nga Kosova bien në kontakt me trafikantët të cilët më pas, në shkëmbim të parave, i orientojnë deri në kufirin me Hungarinë.

Por, në shumë raste, këta emigrantë përfundojnë edhe në duart e policisë serbe dhe më pas dalin para gjykatës.

Gjykata komunale në Suboticë ka shpallur kujdestari pune 24 orë në ditë, për shkak të problemeve me emigrantët ilegalë nga Kosova. Gjatë janarit, për shkak të kalimeve ilegale të kufirit të Serbisë me Hungarinë, në këtë gjykatë janë proceduar 550 raste.

Atyre, thuhet se u janë shqiptuar masa ndëshkuese minimale, që sillen nga 5 mijë deri në 50 mijë dinarë serbë, përkatësisht 40 deri në 400 euro.

Lubo Simiq, është kryetar i Gjykatës komunale në Suboticë. Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vetëm shtatë ditët e fundit janë trajtuar 368 raste të kalimeve ilegale të kufirit nga ana e emigrantëve nga Kosova.

"Ka një rritje drastike. Qysh tani kemi arritur në normën prej 50 për qind të rasteve të tilla që mund të ndodhin brenda një viti", ka thënë Simiq.

Sipas tij, gjatë janarit trendi i kalimeve ilegale është rritur, duke kulmuar në ditët e para të muajit shkurt. Puna e kësaj gjykate, ka rrëfyer ai, këto ditë vazhdon deri në orën 01:00 pas mesnate.

Askush nga të dënuarit deri më tani nuk është ankuar në Gjykatë, një e drejtë kjo që u njihet me ligjet serbe.

Gjykatësja, Tanja Bullatoviq, e cila po kujdestaronte në Gjykatën e Suboticës, i ka thënë programit tonë se gjykata i trajton të gjithë njerëzit dhe rastet njësoj.

Ajo tregon edhe për procedurat që aplikohen në këso raste.

"Kur kapen në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin, ata dërgohen në stacionin rajonal të policisë për identifikim. Aty, ata trajtohen për tentim të kalimit ilegal të kufirit. Më pas ne i dëgjojmë edhe arsyet e tyre, ku zakonisht thonë se po largohen për shkaqe ekonomike apo se kanë të afërmit diku jashtë vendit dhe për këtë arsye duan të largohen. Ne më pas i dënojmë me gjoba në të holla dhe ata lirohen", ka thënë gjykatësja Bullatoviq.

Dënimi më i rëndë që parashihet me ligjet e Serbisë për migrimet ilegale është 30 ditë burg. Por, dënime të tilla, sipas autoriteteve serbe nuk janë shqiptuar deri më tani në rastin e emigrantëve nga Kosova.

Qeveria e Kosovës, përveç apeleve, nuk po arrin që të gjejë ndonjë zgjidhje tjetër. Kurse aplikimi i masave shtrënguese, është vlerësuar se do të mund të cenonte lirinë e lëvizjes.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka vlerësuar se liberalizimi i vizave me shtetet e BE-së do të ndalte migrimin ilegal të shtetasve të Kosovës.

Sipas tij, janë shkaqet ekonomike, mbi të gjitha, që bëjnë një numër të madh të qytetarëve të marrin një rrugë pa krye. Kurse përfitues të kësaj fatkeqësie, sipas tij, janë grupet kriminale që po i organizojnë ikjet e tilla.

Autoritetet ndërkombëtare, ndërkaq, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos marrin rrugën e migrimit ilegal, pasi që synimet e tyre për të fituar azil në vendet e Bashkimit Evropian, thuhet se janë të parealizueshme.

Sipas njoftimeve ende jo përfundimtare, mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës janë përfshirë në migrime ilegale këto muajt e fundit, përfshirë edhe 5 mijë nxënës të cilët u detyruan të braktisin shkollat që nga fillimi i vitit shkollor.

XS
SM
MD
LG