Ndërlidhjet

Zaev: Pushteti ka përgjuar paligjshëm edhe Radion Evropa e Lirë


Zoran Zaev

Zoran Zaev

Mbi 20 mijë qytetarë të Maqedonisë, janë përgjuar në mënyrë të paligjshme nga strukturat e sigurimit shtetëror, në mesin e të cilëve liderë të opozitës, gazetarë, afaristë, përfaqësues të sektorit civil, e shumë të tjerë, që pushteti i ka llogaritur si njerëz të afërt me opozitën.

Kështu ka bërë të ditur, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate të opozitës, duke publikuar dëshmitë që pretendon se i posedon për "veprimtaritë kriminale të qeverisë aktuale", e të cilët i ka qujtuar “bomba“.

Është përgjuar edhe zyra e Radios Evropa e Lirë në Shkup dhe Zoran Zaev publikoi këtë përgjim të parin, në takimin me gazetarët, nga shumë të tjerë që janë kryer nga strukturat e sigurimit shtetëror

“Po, urdhëroni. Mirëmëngjesi zoti Zaev! Jam Mimi nga Radio Evropa e Lirë. Po, urdhëroni, ju dëgjoj. Ju kërkoj lidhur me vlerësimet që jep Ministria e Arsimit se komunat janë ato të cilat nuk i përmbushin detyrimet ndaj shkollave...“

Kjo është vetëm një pjesë e bisedës mes kreut të LSDM-së, Zoran Zaev me gazetaren e Radios Evropës së Lirë, Mirjana Spasovska. Lideri i opozitës publikoi edhe shumë audio incizime të përgjuara, madje edhe mes tij dhe anëtarëve të familjes, mes tij dhe njerëzve të partisë.

Është përgjuar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe shumë politikanë tjerë shqiptarë, por nuk janë lënë anash as njerëzit e vetë Gruevskit, kështu që nga bisedat e publikuara është edhe ajo mes Ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska me Ministrin e financave, Zoran Stavreski.

“LSDM-ja, sot fillon një proces shumë të vështirë për të ardhmen e vendit. Kemi nisur projektin “E vërteta për Maqedoninë“, qëllimi është i thjeshtë, të kthejmë lirinë dhe demokracinë, t'i kthejmë vlerat e humbura evropiane. Kjo do të bëhet simbol i procesit për kthimin e lirisë dhe demokracisë, për të ardhmen e fëmijëve tanë“, ka deklaruar Zoran Zaev.

Ai ka njoftuar ngritjen e padisë ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, të cilët i akuzon për veprimtari antiligjore, përgjim masovik të popullatës, të të gjithë atyre që dyshojnë se punojnë kundër tyre.

Kreu i opozitës ka kërkuar përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare në zbardhjen e plotë të krimit dhe gjykimin e të gjithë aktorëve të këtij akti të tmerrshëm, siç i ka quajtur ai përgjimet e pushtetit.

“I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që me kujdes të ndjekë gjithçka që jemi duke publikuar dhe presim që në mënyrë aktive të jenë të përfshirë në këtë proces“, ka deklaruar Zaev.

Lideri i opozitës, dëshminë për siç thekson, "punën kriminale të qeverisë", do ta publikojë edhe në ditët në vazhdim, e të cilat siç u shpreh, do të jenë edhe më të tmershme.

Pas publikimit të dëshmive nga opozita për përgjimet masovike nga ana e MPB-së, ka reaguar partia në pushteti, VMRODPMNE-ja.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevsi mbetet në qëndrimin se materialet që prezantoi Zoran Zaev, janë siguruar nga shërbimet e huaja dhe se ato nuk janë në interes të askujt në Maqedoni, përveç palëve të treta.

“Me qasje joserioze dhe të papërgjegjshme, duke pranuar të bëhet instrument dhe vegël e shërbimeve të huaja, Zaev tregoi qartë se është i kënaqur nga kjo situatë dhe vazhdon të kënaqet duke qenë pjesë e një skenari të krijuar, skenar ky në interes të një pale të tretë. Me qëllimet e tij, Zaevi dëshiron që t’i mbajë peng bashkë-partiakët e tij dhe qytetarët, duke i shpërqendruar nga realiteti dhe nevojat qytetare".

"VMRODPMNE-ja edhe një herë i bën thirrje Zaevit, që pa marrë parasysh çfarë materiali posedon, ta dorëzojë në institucionet përgjegjëse për procedurë të mëtejshme, të drejtë, transparente dhe ligjore”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.

XS
SM
MD
LG