Ndërlidhjet

Shkup: "Heshtje" e brishtë pas përgjimeve të publikuara


Institucionet shtetërore të Maqedonisë, Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, sot nuk kanë njoftuar për ndonjë veprim konkret të tyre, pas publikimit të përgjimeve nga ana e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev.

Zaev pretendon se përgjimet i ka realizuar në mënyrë të paligjshme qeveria maqedonase. ​

“Prokuroria Publike ende nuk ka marrë padi penale nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë për rastin e përgjimeve”, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, prokurori publik Marko Zvrlevski, duke shtuar se pasi që ta kenë padinë penale, do të veprojnë për rastin në fjalë.

Ndërkohë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, njofton se padia do të dorëzohet brenda këtyre ditëve.

Ndryshe, lideri i partisë maqedonase në opozitë, Zoran Zaev, të hënën, në një konferencë pë shtyp ka prezantuar njëmbëdhjetë audio incizime, të cilat, siç ka theksuar ai, janë përgjime nga shërbimet vendore.

Zaev njëherësh ka bërë të ditur se do të bëjë padi penale kundër drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijalkov, shefit të drejtorisë së pestë, Goran Gruevski, dhe një të punësuari në shërbimet e sigurimit.

Ai poashtu tha se "opozita tërësisht e ka humbur besimin në organet e gjyqësisë, por nëse Prokuroria publike fillon një hetim të pavarur dhe transparent, atë do ta përshëndet".

Ndërkohë, avokati i popullit Ixhet Memeti, për Radion Evropa e Lirë, thekson se publikimi i audio incizimeve nga përgjimet, paraqet dëshmi për shkelje të rëndë të së drejtës së privatësisë së qytetarëve të Maqedonisë.

“Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për persona publik, apo qytetarë të thjeshtë të Maqedonisë, kjo dukuri e përgjimeve është e trishtueshme, nuk di nëse mund të përdor ndonjë shprehje tjetër për të shpjeguar gjendjen".

"Të përgjohen me mijëra qytetarë të Maqedonisë dhe këto përgjime të publikohen, kjo paraqet një problem, një dukuri që duhet të na shqetësojë.
Pas kësaj a mund të flitet për të drejtën e privatësisë së qytetarëve dhe jetës familjare? A mund të flasim pë atë se në Republikën e Maqedonisë është e garantuar e drejta private e qytetarëve dhe siguria juridike? Unë them gjithsesi se jo pas këtyre dëshmive”,
thekson Memeti.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të tregohen të kujdesshme dhe siç shpehet ai, të mos luajnë me gjendjen e krijuar e cila është mëse serioze.

Nga shërbimi për informim i LSDM-së, kanë njoftuar se lideri i kësaj partie Zoran Zaev, gjatë ditës së sotme nuk do të organizojë konferencë për shtyp për të publikuar "skandale të reja të përgjimeve të zyrtarëve të lartë në Maqedoni".

“Presim që opinioni sa më tepër të informohet për bombat që i publikuam dje dhe pastaj do të vendosim se kur do të vazhdojmë me publikimin e bombave tjera”, thuhet në një komunikatën me shkrim të LSDM-së, në të cilën theksohet se për materialet tjera që do të publikohen nga Zaev pas disa ditësh, vendimi do të merret pas konsultimeve plotësuese të kreut të partisë.

XS
SM
MD
LG