Ndërlidhjet

Shpërthime tritoli në Tiranë


Ilustrim

Ilustrim

Rreth orës 2:05 minuta të mëngjesit të së martës, ka ndodhur shpërthimi i parë i tritolit në farmacinë që është në pronësi të Bashkim Tahirit.

Ky shtetas është babai i ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë shqiptare, Saimir Tahiri. Farmacia e Bashkim Tahirit ndodhet pranë Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza” dhe mësohet se nga shpërthimi i tritolit ka pasur vetëm dëme materiale.

Ndërkohë rreth orës 3:05 minuta, ka ndodhur edhe shpërthimi i dytë, në katin e pestë të një pallati në një prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Nga shpërthimi janë dëmtuar banesat e shtetasve Alfred Numani i cili aktualisht është pjesëtar i policisë së shtetit, si dhe fqinjit të tij me iniciale E.F.

Edhe nga shpërthimi i dytë ka patur vetëm dëme materiale.

Ndërsa, në orën 06:15 minuta, nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, në një stacion autobusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, është zbuluar një sasi e lëndëve eksplozive, e gatshme për të shpërthyer. Pas konstatimit të lëndës, nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Shtetit është kryer shpërthimi i kontrolluar.

Pas këtyre ngjarjeve, kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, dhe shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, zhvilluan një takim në zyrën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për të analizuar situatën.

Më pas, prokuroria për krime të rënda me anë të një deklarate bëri me dije se këto tre ngjarje për momentin po hetohen së bashku, nën drejtimin e të njëjtit grup hetimor të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në kuadër të këtij hetimi, po kryhen të gjithë veprimet e nevojshme proceduriale.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka cilësuar sulmin si “akt terrorist ndaj familjës së ministrit të Brendshëm, kafshim monstrash që kanë marrë, po marrin dhe do të marrin atë që meritojnë: Dorën e shtetit në fyt deri në frymën e tyre të fundit!”.

Sipas zotit Rama “kush ka urdhëruar e ekzekutuar terrorin ndaj familjes së ministrit, duhet ta mësojë se sot i ka dhënë atij e të gjithëve ne, një motiv më shumë për të qenë krenarë e të frymëzuar në çdo qelizë, në kryerjen e detyrës së lartë në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi!”, shkruan kryeministri në rrjetin social Facebook.

Partia Demokratike ndërkaq, ka reaguar sot për nivelin e pasigurisë në vend.

Në një deklaratë për mediat kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, tha se "PD ka denoncuar që në fillim, rënien e dobësimin e policisë nga njëra anë, dhe forcimin e krimit dhe kriminalitetit nga ana tjetër".

XS
SM
MD
LG