Ndërlidhjet

logo-print

Siria “informohet” për fushatën ajrore kundër IS-it

  • RFE /RL

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë se qeveria e tij po merr mesazhe nga koalicioni ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili po lufton militantët e Shtetit Islamik.

Assad i ka thënë BBC-së se nuk ka pasur bashkëpunim direkt prejse kanë nisur sulmet ajrore në Siri, shtatorin e kaluar, porse palët e treta – në mesin e tyre Iraku – i përcjellin informacione.

“Nuk ka dialog, por të themi informacione, jo dialog”, ka thënë Assad.

Ai po ashtu ka mohuar se forcat qeveritare të Sirisë hedhin bomba fuçi në zonat që kontrollohen nga rebelët, duke vrarë mijëra civilë.

“Unë e di ushtrinë. Ajo përdor plumba, raketa dhe bomba. Nuk kam dëgjuar të përdoren bomba fuçi”, ka thënë Assad.

Shumë shtete të koalicionit kanë mohuar se bashkëpunojnë me Assadin. Ato vazhdimisht i kanë bërë thirrje atij që të japë dorëheqje, prejse ka nisur kryengritja kundër tij në mars të vitit 2011.

Por, pasi militantët e Shtetit Islamik, vitin e kaluar, kanë marrë nën kontroll shumë territore në Irak dhe Siri dhe kanë krijuar “kalifatin” e tyre, disa zyrtarë kanë shqyrtuar bashkëpunimin me Assadin për të luftuar grupin ekstremist.

Pavarësisht kësaj, Assad ka refuzuar bashkimin me koalicionin ndërkombëtar, i cili po bën përpjekje të “degradojë dhe shkatërrojë” Shtetin Islamik.

“Jo, definitivisht nuk mundemi dhe nuk kemi vullnet për një arsye të vetme – nuk mund të bëjmë aleancë me vende që mbështesin terrorizmin”, ka thënë Assad për BBC-në.

Ai nuk ka dhënë më shumë detaje, por Qeveria e Sirisë vazhdimisht portretizon militantët xhihadistë dhe pjesëtarët e opozitës politike si “terroristë”.

Regjimi i Assadit është akuzuar për kryerje të krimeve të luftës nga Kombet e Bashkuara, por Assad ka thënë se akuzat e tilla janë “përralla fëmijësh”.

Mbi 210,000 njerëz janë vrarë në Siri prejse ka nisur konflikti gati katër vjet më parë.

Gazeta “Foreign Affairs” ka shkruar se militantët e Shtetit Islamik kanë nisur të tregojnë shenja të zbehjes. Sipas saj, është e vërtetë se ata kanë publikuar videon e ekzekutimit të tmerrshëm të pilotit jordanez, Moaz al-Kasasbeh, kanë tërhequr xhihadistë nga e gjithë bota dhe kontrollojnë territore.

Por, vijon artikulli, çarjet brenda vetë kalifatit të vetëshpallur kanë nisur të shfaqen.

“Një arsye për këtë është se, nisur nga fundi i verës së kaluar, ndërhyrja e SHBA-së në Irak ka ndihmuar që të ndalojë përparimin e Shtetit Islamik. Që atëherë, trupat kanë qenë në gjendje të ndërmarrin ofensiva dhe të nisin dëbimin e grupit terrorist nga territoret. Ai tashmë ka humbur Kobanin, qytetin verior të Sirisë, ku është përqendruar shumica e dhunës. Po ashtu ka pësuar humbje të rëndësishme në Baji, Jurf al-Sakhar, Dijala dhe Mosul Dam”, thuhet në artikull.

“Në skemën e madhe të gjërave, kjo nuk do të thotë shumë: nga 55,000 kilometra katrorë që kontrollin Shteti Islamik, ai ka humbur vetëm 700 – pra rreth 1 për qind. Por, së paku, vrulli i tyre është kontrolluar”, shkruan gazeta “Foreign Affairs”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG