Ndërlidhjet

Veselinoviq, dikur i shumëkërkuar, sot i lirë


Zvonko Veselinoviq
Zvonko Veselinoviq

Zvonko Veselinoviq, i ashtuquajturi biznesmeni kundërthënës nga veriu i Kosovës, i cili nga gjykata serbe ishte akuzuar për krime ekonomike dhe nxitje të dhunës, është liruar, për "mungesë të argumentimit të përgjegjësisë, qoftë për krime ekonomike, qoftë për nxitje të dhunës".

Zvonko Veselinoviq nga Zveçani, i dyshuar nga KFOR-i për organizimin e trazirave në veri të Kosovës dhe sulme mbi pjesëtarët e këtij misioni, është liruar në Beograd nga akuzat për krime ekonomike.

Ndryshe nga koha kur ishte arrestuar Veselinoviq, sot politikanët në Serbi nuk e trajtojnë si temë të rëndësishme. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se nuk e ka idenë e qartë se për kë bëhet fjalë.

“Nuk kam ide se për çka bëhet fjalë. Kjo është diçka në lidhje me Kosovën, se a i janë marrë dikujt kamionët. Kjo ka ndodhur dje dhe nuk mund të komentoj rreth kësaj”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve.

Ndryshe, me 20 dhjetor të vitit 2011, Veselinoviq ishte arrestuar nga policia serbe në Kopaonik, nën dyshimin se ka prodhuar dhe ka nxjerrë në qarkullim armë dhe materie shpërthyese. Por, ky arrestim kishte ndodhur pasi që KFOR-i e kishte quajtur si organizatorin kryesor të sulmeve mbi pjesëtarët e forcave ndërkombëtare në Jarinë, në kufirin Kosovë - Serbi.

Më pas, Veselinoviq ishte ballafaquar me akuzën se në mënyrë të jashtëligjshme kishte përvetësuar 32 kamionë në pronë të kompanisë “Hipo-Alpe Adrija”.

Veselinoviq, është përmendur edhe në kontekstin e barrikadave në veri të Kosovës, të cilat atë vit ishin vendosur nga serbët lokalë, në afërsi të vendkalimit kufitar.

Gjithashtu, mbahet mend edhe deklarata e atëhershme e liderit opozitar nga Partia Progresiste Serbe, Tomislav Nikoliq, aktualisht kryetar i Serbisë, i cili pati thënë se “duhen mjaft fakte që të arsyetohet arrestimi i njeriut, i cili i ka ndihmuar qëndresën e serbëve në tre muajt më të vështirë”.

Por, Dragan Popoviq, nga Qendra për Politikë Praktike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka vlerësuar Zvonko Veselinoviqin si një personalitet kolorit.

“Ka arritur në vëmendjen e opinionit në vitin 2011, kur barrikadat ishin aktuale dhe atëherë e kemi kuptuar se ai është një nga njerëzit më të fuqishëm dhe me të pasur në veriun e Kosovës dhe praktikisht një lloj komandanti i të gjitha atyre, ti quajmë, strukturave paralele të sigurisë në veri të Kosovës, të cilët pas vënies së barrikadave vendosnin se kur do t’i hiqnin ato".

"Përndryshe, për atë se sa ka qenë i fuqishëm, flet fakti se ai fliste mjaft jo këndshëm me Borko Stefanoviqin, atëherë udhëheqësin e bisedimeve. Madje ia pati ndaluar që të hyjë në Kosovë”, tha Popoviq.

Ai shtoi se sipas informatave që ka, Veselinoviq është "njeri i rrezikshëm dhe i fuqishëm" dhe se akuzat që i ishin bërë më tepër ishin "për t’i hedhur pluhur në sy opinionit", se sa që ishin akuza serioze për krime ekonomike, ku ai dukej se ishte përfshirë.

Veselinoviq, gjithashtu, ishte përfolur në medie si një nga organizatorët e ekonomisë jolegale, kontrabandës së naftës, e cila zhvillohej përmes vendkalimeve kufitare të pakontrolluara në atë kohë, në Jarinë dhe Bërnjak, por edhe shumë vendkalimeve tjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Popoviq vlerëson se edhe sot gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, për sa i përket kontrabandës.

“Kanë mbetur kanalet e shumëfishta, të paprekura, të ashtuquajturat rrugë alternative, përmes të cilave ju mund të hyni në Kosovë pa asnjë kontroll. Gjithashtu, në veri të Kosovës ka mbetur një lloj i strukturës paralele”, tha Popoviq.

Ndryshe, me 27 shtator të vitit 2011 në Jarinë, një grup i serbëve i udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq, sulmoi ushtarët e KFOR-it duke lënë të plagosur 4 nga ta.

Situata e krijuar pasoi operacionin e forcave të rendit në Kosovë më 25 korrik 2011 për të vënë nën kontroll kufijtë e veriut të Kosovës me Serbinë.

Në muajin dhjetor të vitit 2011, KFOR-i e kishte identifikuar Zvonko Veselinoviqin dhe vëllanë e tij, Zharko Veselinoviq, si organizatorë dhe liderë të akteve të dhunës ndaj ushtarëve të KFOR-it, te barrikadat në Jarinë dhe Jagnenicë.

Asokohe, komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, pati thënë se “sulmet e dhunshme në Jarinë janë organizuar dhe udhëhequr nga Zvonko Veselinoviqi, përderisa konflikti në Jagnenicë është udhëhequr nga vëllai i tij”, duke shtuar se kanë video incizime që mbështesin këto pohime, të cilat i janë dërguar edhe EULEX-it.

Me 20 dhjetor 2011, policia serbe pati arrestuar Zvonko Veselinoviqin, në territorin e Kopaonikut nën dyshimet se është marrë me aktivitet kriminale.

Me 22 dhjetor 2011, Policia e EULEX-it kishte bastisur shtëpinë e Veselinoviqit në fshatin Dolani, afër Zveçanit, Sipas zyrtarëve të EULEX-it, bastisja ishte bërë “në kuadër të një hetimi, i cili është i ndërlidhur me krimin e organizuar, kontrabandën me mallra dhe kontrabandën me narkotikë”.

Një vit më pas, në dhjetor 2012, në Serbi kishte filluar gjykimi ndaj Zvonko Veselinoviqit dhe dy të tjerëve, të cilët akuzoheshin se kishin përvetësuar në mënyrë të paligjshme 32 kamionë nga kompania "Hipo-Alpe Adria ". Një pjesë e këtyre kamionëve thuhet se është gjetur në Kosovë.

XS
SM
MD
LG