Ndërlidhjet

Australia parandalon një sulm terrorist


Ilustrim

Ilustrim

Policia australiane ka njoftuar se një sulm “i pashmangshëm” terrorist është parandaluar në Sydney, ndërsa janë arrestuar dy burra dhe konfiskuar një shpatë, një thikë gjuetie, një video dhe një flamur i Shtetit Islamik.

Dy burrat janë prangosur gjatë bastisjes së policisë në një pronë në periferinë Fairfield të Sydneyt.

Ata janë arrestuar nën akuzën se po ndërmirrnin apo po planifikonin një sulm terrorist.

Zyrtarja policore Catherine Burn ka njoftuar sot se sulmi i planifikuar ishte “në përputhje me mesazhet që vijnë nga IS”.

Ajo tha se dy të arrestuarit e moshës 24 dhe 26 vjeç kishin planfikuar të kryenin sulm më 11 shkurt.

E pyetur nëse të dyshuarit po planifikonin të kryenin sulm duke ia prerë kokën dikujt, Burn tha se policia ende nuk e ka të qartë mënyrën përmes së cilës mendohej kryerja e veprës penale.

Australia qysh në muajin shtator të vitit të kaluar e ka ngritur nivelin e sigurisë për shkak të kërcënimeve me sulme terroriste.

Në dhjetor, dy pengje dhe një person i armatosur janë vrarë në një kafiteri në Sydney kur policia e kishte nisur aksionin për t'i dhënë fund një pengmarrje nga personi i armatosur.

XS
SM
MD
LG