Ndërlidhjet

Lista serbe ende nuk ka vendosur për hapat që do të ndërmarrë


Pamje nga protesta e mbajtur në Prishtinë për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq
Pamje nga protesta e mbajtur në Prishtinë për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka deklaruar se Lista Serbe ende nuk ka vendosur për hapat që do të ndërmarrë rreth pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës.

Për Radio Televizionin e Serbisë, Stjanoviq ka thënë se rreth kësaj çështjeje do të ketë takime të tjera ndërmjet kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq dhe serbëve të Kosovës.

“Po të ndikonte vendimi vetëm te ne, personalisht, më lehtë dhe më shpejtë do ta merrnim. Por, për shkak të kompleksitetit dhe përgjegjësisë që kemi ndaj njerëzve, duhet ta masim mirë çdo hap që bëjmë. Ne në fakt nuk kemi zgjidhje më të mirë, ne po zgjedhim ndërmjet zgjidhjeve më pak të këqija”, ka thënë Stojanoviq.

Lista Serbe ka shprehur pakënaqësinë e saj me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për të shkarkuar tashmë ish ministrin për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.

Përfaqësues të Listës kishin thënë se për pjesëmarrje ose jo në qeverinë e Kosovës, do të vendosnin pas takimit të mbështetur nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili u mbajt në Bruksel më 9 shkurt.

Jabllanoviq i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë të cilët po përpiqeshin t'i pengonin pelegrinët serb të vizitojnë Gjakovën për Krishtlindjen Ortodokse, më 6 janar.

Deklarata e tij kishte nxitur protesta të dhunshme në Prishtinë, në janar të këtij viti.

XS
SM
MD
LG