Ndërlidhjet

Kamatat e kredive në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, vazhdojnë të jenë të larta dhe kjo po vështirëson zhvillimin e bizneseve, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe financiare.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, thuhet se në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar, normat mesatare të interesit për kredi dhe depozita kanë vazhduar trendin e rënies.

Por, sipas këtyre të dhënave, norma mesatare e interesit në kredi u zvogëlua në 10.8 për qind krahasuar me 12.2 për qind në shtator të vitit 2013.

Megjithatë, eksperti për çështje ekonomike Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto norma janë të pafavorshme për operimin normal të bizneseve në vend.

Ai ndërkaq thotë se bankat komerciale në Kosovë janë akomoduar me këto kamata, pavarësisht asaj se këto kamata tregojnë se çmimi i kapitalit në Kosovë është gati dyfish më i shtrenjtë se sa në tregjet ndërkombëtare.

"Me këto kamata të larta, bizneset e kanë të vështirë që të jenë konkurruese në tregun e Kosovës e lëre më në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Ne kemi pritur se me hyrjen e bankave të reja në tregun bankar, do të ketë ulje të ndjeshme të kamatave, por kemi një ulje simbolike dhe të parëndësishme që të komentohet nga qytetarët dhe bizneset”, thekson Sadiku

Edhe Milazim Abazi, ekspert për çështje financiare, thotë se bankat komerciale kanë filluar të reflektojnë në uljen e normave të kredive, por kjo ulje sipas tij, është e pamjaftueshme

Ai konsideron se bankat nuk kanë arsye që të kenë norma më të larta se deri në shtatë për qind, konkretisht për bizneset që kanë një histori të mirë në pagesat e kësteve të kredive.

“Normat ende janë të larta dhe është e vështirë që bizneset sidomos në prodhim, të bartin një interes kaq të lartë. Kështu që, unë pres që bankat të reflektojnë dhe nuk ka arsye që bankat në Kosovë të mbajnë interes aq të lartë në kushtet e një interesi kaq të ulët në kursime”, thekson Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, kamatat e larta të kredive nga përfaqësues të komunitetit të biznesit, janë vlerësuar si një ndër shkaqet e falimentimit të bizneseve të ndryshme në vend.

Kurse në disa analiza të mëhershme të disa instituteve në vend, është thënë se shërbimet në sistemin bankar janë të pafavorshme për zhvillimin e veprimtarisë se bizneseve.

Këtë shqetësim e paraqet edhe profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku, duke thënë se bizneset kanë ardhur në situatë të marrin kredi të reja për të mbuluar kreditë e vjetra.

”Unë pajtohem se pjesëmarrja e kredive në financimin e bizneseve është e konsiderueshme dhe se tashmë është krijuar një rreth kur bizneset marrin kredi të reja për kthimin e kredive të vjetra dhe ky qark një ditë do të mbyllet dhe të përfundojë më falimentim të bizneseve. Është paradoksale që në Kosovë të kemi banka profitabile, kurse në anën tjetër të kemi biznese të paqëndrueshme“, thekson ai.

Sidoqoftë, sipas veprimtarive ekonomike, struktura e kredive të ndërmarrjeve vazhdon të dominohet nga kreditë e destinuara për tregti me pjesëmarrje prej 52.5 për qind, pasuar nga prodhimtaria me 11.9 për qind dhe ndërtimtaria me 8.9 për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG