Ndërlidhjet

Pak shpresa nga samiti për Ukrainën

  • RFE /RL

Bisedimet urgjente për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës janë hapur në Minsk të Bjellorusisë.

Në to po marrin pjesë presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, i Rusisë, Vladimir Putin, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Francois Hollande.

Me fillimin e bisedimeve, Putin ka shtrënguar duart me Poroshenkon.

Ato po fokusohen në sigurimin e një armëpushimi, në tërheqjen e armëve të rënda dhe në krijimin e një zone të demilitarizuar.

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, ka thënë se këto janë negociata të “shansit të fundit” për të ndaluar konflitin në Ukrainë.

Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares gjermane, Angela Merkel, nuk është shprehur optimist për rezultate nga takimi.

“Fakti që ky takim po zhvillohet, ofron një fije shprese, por asgjë më shumë. Ajo çfarë kancelarja Merkel ka thënë vazhdimisht, qëndron; është e paqartë nëse mund të arrihen rezultate. Pavarësisht të gjitha pasigurive, ia vlen të provohet në interes të popullit që po vuan në lindje të Ukrainës”, ka thënë Seibert.

Më shumë se 5,400 njerëz janë vrarë prejse ka nisur konflikti midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, në prill të vitit të kaluar.

Javët e fundit është shënuar rritje dramatike e numrit të viktimave – 263 civilë janë vrarë në zona të populluara vetëm në periudhën 31 janar – 5 shkurt.

Ukraina dhe Perëndimi akuzojnë Rusinë se dërgon trupa dhe armë për të mbështetur rebelët, por Rusia i hedh poshtë këto akuza.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të armëve për Ukrainën, nëse diplomacia dështon, por Rusia ka thënë se një gjë e tillë vetëm se do ta përkeqësonte krizën.

Për këtë çështje ka folur sot ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një konferencë të përbashkët për media me homologun grek, Nikos Kotzias, në Moskë.

“Është qëndrim i yni i përbashkët se situata në Ukrainë nuk mund të zgjidhet në mënyrë ushtarake. Rruga drejt paqes shtrihet në dialogun direkt midis autoriteteve të Ukrainës dhe atyre që duan të mbrojnë tokën e tyre në juglindje”, ka thënë Lavrov.

Samiti në Minsk do të ndiqet nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ai i Ukrainës, Petro Poroshenko, i Francës, Francois Hollande, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se nëse arrihet ndonjë marrëveshje, samiti i Minskut do të jetë “pikë kthese për të mirë ose për të keq”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG