Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshja për armëpushim në Ukrainë


Një pushim i shkurtër pas një nate të gjatë bisedimesh
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Një pushim i shkurtër pas një nate të gjatë bisedimesh

Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës, kanë rënë dakord për një marrëveshje të paqes në Ukrainë, pas 16 orë bisedimesh në Minsk të Bjellorusisë.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë thënë se marrëveshja parasheh që më 15 shkurt të nisë armëpushimi, të tërhiqen armët e rënda dhe të krijohet një zonë e sigurisë.

“Jemi pajtuar për shumë gjëra. Kryesorja, jemi pajtuar për armëpushim, që do të jetë efektiv nga 15 shkurti”, ka thënë Putin.

Konflikti midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë, i cili ka marrë mbi 5,400 jetë njerëzish, ka nisur qysh në prill të vitit 2014.

Raportohet se marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe liderët e vetëshpallur të separatsitëve në rajonet e Luhanskut dhe Donjeckut.

Poroshenko ka thënë se dokumenti nuk ofron autonomi për rajonet që kontrollohen nga rebelët dhe gjithashtu parashikon që Ukraina të rivendosë kontrollin mbi kufijtë e saj deri në fund të vitit 2015.

Poroshenko ka dhënë edhe detaje të tjera të marrëveshjes:

“Tërheqja e të gjitha trupave të huaja, të gjithë mercenarëve, nga territori i Ukrainës. Ata do të tërhiqen në një të ardhme të afërt”, ka thënë Poroshenko.

Por, sipas tij, marrëveshja bën thirrje edhe për lirimin e të gjithë njerëzve që mbahen peng nga të dyja palët, brenda tri javësh.

Presidenti i Francës, Franocis Hollande, i cili së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel ka negociuar me Poroshenkon dhe Putinin, ka falënderuar liderin rus për “trysninë” mbi udhëheqësit e rebelëve.

Ai ka thënë se samiti i Misnkut ka sjellë një zgjidhje politike globale të krizës në Ukrainë dhe se kjo është “lehtësim për Evropën” dhe “shpresë për Ukrainën”.

Kancelarja Merkel është shprehur më e matur, duke thënë se ka një “fije shprese për Ukrainën”, porse mbetet “shumë, shumë punë për t’u bërë”. Ajo ka thënë se presidenti Poroshenko ka bërë gjithçka të mundur për të ndaluar gjakderdhjen në Ukrainë.

Rusia kundërshton akuzat e Ukrainës dhe të fuqive perëndimore se furnizon me armë dhe personel ushtarak rebelët, të cilët kërkojnë pavarësi për zonat që kontrollojnë.

Njëri nga liderët e separatistëve pro-rusë, Aleksandr Zakharchenko, ka thënë se trupat e tij do të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Minsk.

“Përgjegjësia për çdo shkelje apo dështim të zbatimit të marrëveshjes bie drejtpërdrejt mbi (presidentin e Ukrainës) Petro Poroshenkon. Të gjitha pikat, për të cilat është rënë dakord në samit, kanë nevojë për koordinim shtesë. Bisedimet vazhdojnë. Kështu që çdo shkelje apo dështim për t’i respektuar këto pika do të thoë se nuk do të ketë kurrë më memorandum”, ka thënë Zakharchenko.

Konflikti në lindje të Ukrainës ka shpërthyer pasi Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme gadishullin ukrainas të Krimesë, në mars të vitit të kaluar. Ky veprim ka pasuar rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, pas disa muajsh protesta kundër regjimit të tij.

Kievi dhe qeveritë perëndimore besojnë se Rusia do që të dobësojë Ukrainën dhe ta mbajë atë jashtë NATO-s, duke mbajtur “konflikt të ngrirë” në lindje gjatë viteve që vijnë.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të dërgojnë armë mbrojtëse për Ukrainën, nëse diplomacia dështon.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG