Ndërlidhjet

Përkeqësohet liria e mediave në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Grupi i Reporterëve pa Kufij ka bërë të ditur se liria e mediave ka pësuar “rënie drastike” në mbarë botën vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të grupeve ekstremiste si Shteti Islamik dhe Boko Haram.

Raporti vjetor i organizatës “Indeksi i Lirisë së Mediave në Botë 2015” ka vënë në pah se gjatë vitit 2014 ka pasur 3,719 shkelje të lirisë së informacionit në 180 vende të botës – 8 për qind më shumë se vitin paraprak.

Kosova, në raportin e këtij viti, është renditur në vendin e 87-të, në listën prej 180 vendesh, duke shënuar përkeqësim nga viti 2014, kur ka qenë në pozitën numër 80.

Raporti përmend disa shkelje në Kosovë, si sulmin e pronarit të gazetës Tribuna, Sejdi Demiri, ndaj njërit prej gazetarëve të tij, Zekirja Shabani, pasi ky i fundit, i cili është edhe kryetar i Asociacionit të Gazetatëve të Kosovës (AGK) ka thënë se do të padisë gazetën për shkak të mosdhënies së pagës në kohë.

Organizata po ashtu përmend edhe kërcënimet e radikalistëve islamikë ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Nga vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, Shqipëria është radhitur në vendin e 82-të, duke shënuar përmirësim për tri pozita, krahasuar me vitin paraprak.

Sipas raportit, Bosnja zë vendin e 66-të, Serbia 67, Mali i Zi 114 dhe Maqedonia 117.

Raporti në veçanti thekson se shtypja e gazetarëve në Ukrainë gjatë vitit 2014, në kohën kur edhe janë zhvilluar protestat kundër ish-presidentit Viktor Yanukovych, dhe në Turqi në kohën e protestave antiqeveritare, ka përkeqësuar dukshëm lirinë e mediave në këto vende.

Reporterët pa Kufij kanë theksuar se të gjitha palët në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë kanë bërë “një luftë të frikshme të informacioneve”, ku gazetarët kanë qenë drejtpërdrejt shënjestër e vrasjeve, e rrëmbimeve ose e propagandës.

Sipas raportit, Irani, Kina, Siria dhe Koreja e Veriut janë në mesin e vendeve me nivelin më të ulët të lirisë së mediave.

Tre vendet e para në raport i zënë Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka, ndërsa në fund të listës janë Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea. (v.tela)

Raportin e plotë të Reporterëve pa Kufij mund ta gjeni këtu.

XS
SM
MD
LG