Ndërlidhjet

Zv. ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, takon presidenten Jahjaga


 Atifete Jahjaga dhe Hoyt Yee.
Atifete Jahjaga dhe Hoyt Yee.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee, është takuar sot në Prishtinë me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e presidentes, thuhet se në takim është biseduar për

“Normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel dhe përmbushjen e obligimeve të Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidentja Jahjaga citohet ta ketë vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel për çështjen e drejtësisë si “pozitive dhe si një hap drejt vendosjes së ligjit e rendit në pjesën veriore të Kosovës, përmes një sistemi unik të drejtësisë për gjithë vendin, dhe në respektim të ligjeve të Kosovës, por tha se procesi i dialogut duhet të jetë plotësisht i hapur dhe transparent për qytetarët”.

Në komunikatë, zoti Yee citohet të ketë vlerësuar “rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel”, duke thënë se “ky proces duhet të vazhdojë, meqë çon drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe siguron stabilitetin në rajonin e Ballkanit”.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit tha se Kosova tani duhet punojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit, të thellojë reformat në vend duke punuar në zhvillimin ekonomik që ndihmon perspektivë të qartë evropiane për Kosovën.

Në këtë kuadër, presidentja Jahjaga ka njoftuar zotin Yee “edhe me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe me fenomenin e largimit të qytetarëve nga vendi si dhe angazhimin që po bën për të takuar qytetarët dhe për të biseduar me ta për nevojat, brengat si dhe arsyet e largimit të tyre”.

Presidentja Jahjaga gjithashtu tha se “institucionet e vendit tani duhet të bëjnë më shumë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit, si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit që do të mundësojë edhe hapjen e vendeve të punës por edhe do të ndihmojë perspektivën e qytetarëve”.

XS
SM
MD
LG