Ndërlidhjet

Ekonomia e paligjshme në Kosovë, rreth 40 për qind


Ekonomia joformale në Kosovë, nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga Qeveria, pranohet se është deri në 40 për qind. Ky evazion fiskal për ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderohet mjaft shqetësues, pasi që po krijon konkurrencë të padrejtë në ekonominë e tregut.

Angazhimet tre vjeçare të Qeverisë së Kosovës për luftimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike nuk kanë dhënë efekte pozitive.

Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet kompetente nuk janë treguar të vullnetshme për të luftuar ekonominë joformale.

“Qeveria e Kosovës kishte aprovuar një plan veprimi për luftimin e ekonomisë joformale, ku edhe atëherë para tre viteve ishte konstatuar se ekonomia joformale sillet nga 35 deri në 40 për qind, dhe tash pas tre viteve thuajse përsëritet e njëjta shifër e ekonomisë joformale, që do të thotë se prej kohës së aprovimit të atij plani, deri më tani nuk është arritur asgjë në luftimin e kësaj dukurie”, thekson Demi.

Qeveria e Kosovës në vitin 2012 kishte vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Ishte themeluar edhe Task-Forca e përbërë nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, që kishte për qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal.

Demi thekson se pavarësisht këtyre angazhimeve të autoriteteve të vendit për luftën ndaj ekonomisë joligjore, ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm, duke dëmtuar kështu rëndë ekonominë.

“Se sa e dëmton vendin një ekonomi jo formale kaq e lartë, tregon krijimi i një ambient të pafavorshëm dhe të pabarabartë për ato biznese që paguajnë tatimet me rregull. Ekzistenca e ekonomisë joformale po e dëmton konkurrencën në treg dhe sidomos ato biznese që punojnë ndershëm dhe respektojnë ligjet e Kosovës”, shton Demi.

Ekonomia jo ligjore deri në 40 për qind edhe sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi, ka instaluar një pabarazi në tregun e Kosovës.

Kjo ekonomi e paligjshme, shton Gashi ka krijuar ambient të pafavorshëm për bizneset që janë të rregullta në kryerjen e obligimeve që kanë ndaj shtetit.

“Pabarazia në treg krijohet nëpërmes ekonomisë joformale, dhe detyra e shtetit është që të krijojë barazi në treg për të gjitha ndërmarrjet në Kosovë dhe pastaj në treg të mbesin vetëm ato ndërmarrje që kanë më shumë konkurrencë më të lartë, që kanë një treg më të gjerë dhe kanë një profesionalizëm”, vlerëson Gashi.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë se mos zbatimi i politikave fiskale në Kosovë ka bërë që ekonomia joformale të jetë deri në 40 për qind.

Ai ka thënë se janë duke punuar që të krijojnë një barazi në treg duke luftuar ekonominë e paligjshme.

Ndryshe, një studim i bërë nga shoqatat ekonomike në Kosovë, i cili kishte vlerësuar shkallën e ekonomisë joformale, si përfundim ka nxjerrë se ekonomia joligjore në Kosovë merr 34.4 për qind të bruto-produktit vendor.

XS
SM
MD
LG