Ndërlidhjet

Thaçi - Yee: Të ruhet dinamika e dialogut


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra zëvendëskryeministrit, thuhet se në takim është biseduar për të arriturat e fundit në Kosovë, për prioritetet e qeverisë së re dhe për sfidat që e presin Kosovën.

Zëvendëskryeministri Thaçi thuhet se falënderoi zotin Yee për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA jep për Kosovën, me theks të veçantë në mbështetjen në raundin e fundit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë në të cilën u arrit marrëveshja për gjyqësorin.

Në komunikatë, zoti Yee citohet të ketë përgëzuar zotin Thaçi për marrëveshjen për drejtësinë të arritur në raundin e fundit të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë dhe e inkurajoi që të vazhdohet me dialogun dhe që palët të qëndrojnë konstruktive në këtë proces.

“Në çështjen e dialogut, të dyja palët u pajtuan se duhet të ruhet dinamika e deritashme dhe për këtë duhet të hapen temat që janë afër të përmbyllen”, thuhet në këtë komunikatë.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi “kërkoi mbështetjen e SHBA-së edhe për projektet e Kosovës, që këtë vit të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në programin e Partneritetit për Paqe”.

XS
SM
MD
LG