Ndërlidhjet

Një marrëveshje e zbehtë në Minsk


Karikaturë nga takimi në Minsk
Karikaturë nga takimi në Minsk

Tre presidentë dhe një kancelare u angazhuan në Minsk dhe pas bisedimeve maratonike, ata arritën deri te një marrëveshje armë-pushimi, e cila nëse zbatohet, do të mund të ndalë luftimet ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në rajonin Donbas të Ukrainës.

Por, edhe me kushtin që e arrin këtë synim, marrëveshja ofron pak mundësi për të adresuar problemin e vërtetë të konfliktit ndërmjet Kievit dhe Moskës, e ai ka të bëjë me drejtimin e ardhshëm politik të Ukrainës.

Në fakt, marrëveshja e “maskon” këtë problematikë.

Komentatori politik, Leonid Bershidksy, e ka cilësuar si një “bombë të kurdisur, të cilën Rusia mund ta detonojë kur të dojë”.

Por, fillimisht, lajmet e mira.

Pjesa më e qartë e marrëveshjes është ajo që ka të bëjë me armëpushimin, i cili do të duhej të hynte në fuqi më 15 shkurt.

Në ditën e dytë pas armëpushimit, të dyja palët do të duhej të tërheqin armatimin e rëndë nga vija e frontit, për të krijuar një zonë të çmilitarizuar prej 50 kilometrash, e cila do të duhej të vëzhgohej nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Armatimi me projektilë ndërkaq duhet të tërhiqet edhe më larg, për të krijuar një zonë të ndërmjetme nga 70 deri në 140 kilometra.

Dhe tani, lajmet e këqija.

Pjesa tjetër e marrëveshjes është e ngarkuar me rreziqe.

Ç’është më e rëndësishmja, ajo kërkon nga autoritetet ukrainase që rajoneve të kontrolluara nga separatistët t’u jipet një status special, përfshirë këtu edhe të drejtën për të pasur forca të veçanta të policisë dhe të drejtën për të emëruar prokurorë dhe gjykatës. Madje, Kievi do të mund të mos e ketë fuqinë për të shkarkuar zyrtarë në rajonet e kontrolluara nga kryengritësit.

Nga Ukraina kërkohet gjithashtu që të kompletojë reformën kushtetuese dhe decentralizimin e pushtetit, me të cilin do të njihej “statusi special” i rajoneve separatiste, deri në fund të këtij viti.

Dhe derisa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Ukraina është pajtuar me këtë formë të “federalizimit”, homologu i tij ukrainas, Petro Poroshenko, ka mohuar në mënyrë kategorike një gjë të këtillë.

Kërkesa kyçe e Ukrainës, kontrolli i kufirit të brishtë me Rusinë në rajonet separatiste, nuk do të mund të hyjë në fuqi sipas marrëveshjes, deri në përfundimin e reformave kushtetuese dhe fuqizimit të ligjit për decentralizimin.

Gjithsesi, marrëveshja është e mbushur edhe me paqartësi në fjalorin e përdorur.

Çka domethënë shprehja “njësi ndërkombëtare e armatosur”?

Për Ukrainën s’do mend se nënkupton mijëra trupat ruse për të cilat Kievi pohon se gjenden në Donbas. Por, Moska insiston se nuk ka trupa të tillë, atëherë mbetet të shihet se cilat janë ato njësi ndërkombëtare që duhet të tërhiqen.

Marrëveshja e arritur në Minsk mund t’i ndalë luftimet në Donbas, por bën shumë pak për t’i dhënë zgjidhje problemit të vërtetë. (a.v.)

XS
SM
MD
LG