Ndërlidhjet

Festa e radios


Trembëdhjetë shkurti është Dita Botërore e Radios - një ditë për të festuar radion si një medium, në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes.

Radio pajisjet e dikurshme, ato kutitë e zeza, nga të cilat dilnin lloj lloj zërash deri në gjetjen e frekuencës së kërkuar, sot nuk janë shumë në "modë".

Me stuhinë e zhvillimit teknologjik, sot gjithsecili mund të dëgjojë radio përmes internetit.

Mesazhi i parë i radios përtej Oqeanit Atlantik u dërgua në dhjetor të vitit 1901 nga Anglia, por ishte 2 nëntori i vitit 1920, kur radio stacioni i parë komercial nisi transmetimin në Pitsburg, Pensilvani. Në këtë datë thuhet të ketë nisur revolucioni i njohur me emrin "Epoka e artë e radios".

Po sa e dëgjojnë sot radion qytetarët e Kosovës?

Radio Evropa e Lirë ka anketuar disa qytetarë në Prishtinë, të cilët duket se radion më së shumti e dëgjojnë në veturë...

Hysni Berisha, me profesion taksist, tha se radion e dëgjon shumë, meqenëse edhe profesionin e ka të tillë që gjatë tërë ditës është në veturë dhe është i mishëruar me radion.

"Radion e dëgjoj shumë. Sa të rri në veturë e dëgjoj. Dëgjoj më shumë lajme, emisione informative. Edhe muzikë dëgjoj, por përmes radios informohem".

Flutura Sadiku rreth të 30-ave, thotë se radion e dëgjon pothuajse çdo ditë.

"Radion zakonisht e dëgjoj kur jam në shtëpi, por edhe në veturë. Preferoj lajmet, por ndonjëherë për rifreskim edhe muzikën. Emisionet nuk i dëgjoj shumë në radio, pasi që zgjasin shumë dhe nuk qëndroj aq gjatë në veturë sa të dëgjojë emisione".

Genc Jaha, ekonomist me profesion, thotë se i pëlqen radioja si medium, por që jeta dinamike nuk e lejon që më shumë se 1 orë në ditë të dëgjojë radion.

"Radion e dëgjoj rreth një orë në ditë. Më interesojnë emisionet, ndonjë mysafir special kur e paralajmërojnë, i ndjeki. Përndryshe koha na e përcakton sa mundemi të dëgjojmë radio".

Por, ka edhe të atillë që nuk e preferojnë shumë radion. Është ky Agim Uka, 40 vjeçar, jurist me profesion.

"Radion e dëgjoj shumë pak, televizionin e preferoj më shumë".

Isa Kastrati, të cilin e takuam në njërin nga sheshet e kryeqytetit, radion e dëgjon në veturë, por jo edhe në shtëpi...

"Në veturë gjithmonë, por në shtëpi jo shumë. Lajmet aktuale i dëgjoj, analizat e mira i pres me padurim. Ndonjëherë i paralajmërojnë përmes titujve si emisione bombastike, por unë zakonisht i dëgjoj ato që janë përmbajtjësore."

Adelina, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se në radio dëgjon vetëm muzikë.

"Radion e dëgjojë vetëm në veturë. Edhe më së shumti preferoj muzikën".

Lulzim Cakolli, taksist gjithashtu, thotë se radion e dëgjon gjatë tërë ditës...

"Unë e dëgjoj gjithë ditën. Jam taksist edhe punën e kam të tillë. Më së shumti i përcjelli lajmet, por edhe muzikë dëgjoj".

Sipas të dhënave të Komisionit të Pavarur për Media, në Kosovë janë gjithsej 78 radio stacione të regjistruara. Dy radio stacione janë publike, në gjuhën shqipe janë gjithsejt 44 radio stacione, në gjuhën serbe 22, në gjuhën boshnjake 3, në gjuhën turke 2, në gjuhën gorane 2 dhe në gjuhën rome 1.

XS
SM
MD
LG