Ndërlidhjet

Maqedoni: Media nën trysninë e pushtetit


Mediat në Maqedoni vazhdojnë të fundosen sa i përket informimit të opinionit lidhur me zhvillimet e fundit, aferën e përgjimeve, akuzat për komplot ndaj liderit të opozitës, protestat e studentëve, grevën e punonjësve të arsimit, e shumë ngjarje tjera me interes të përgjithshëm.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve mediatike duke komentuar në veçanti "raportimin e njëanshëm dhe joprofesional", apo mosraportimin për përgjimin e mbi 20 mijë qytetarëve nga strukturat e sigurimit të shtetit.

Naser Selmani, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, thotë se kjo është pasojë e presioneve të shumta të pushtetit ndaj mediave, shumica e të cilave, tani janë në shërbim të strukturës aktuale qeverisëse.

“Unë mendoj se kjo Qeveri nuk mund të qeverisë pa kontrollin e mediave dhe pa abuzimin e pushtetit, andaj me zhvillimet e fundit doli në shesh se stili i qeverisjes është jodemokratik. Ata nuk mund të qeverisin pa kontrolluar mediat, pa përgjuar qytetarët, pa keqpërdorur pushtetin dhe pa kontrolluar sistemin e gjyqësisë“, thotë Selmani.

Edhe Mirçe Adamçevski, njohës i çështjeve mediatike dhe ish-kryetar i Këshillit për radio-difuzion, shpreh keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhen mediet dhe "raportimet skandaloze", apo mosraportimet për zhvillimet e fundit, që kanë nxitur interesim të madh edhe në shumë shtete të botës.

“Mënyra e informimit për atë që po ndodhë pas konferencës për shtyp të liderit të opozitës, Zoran Zaev, aspak nuk është profesionale; ka media që shumë pak apo aspak nuk kanë informuar për një çështje kaq delikate, por edhe në interes të publikut".

"Kjo, në veçanti vlen për mediat kombëtare, shërbimin publik dhe televizionet që transmetojnë në nivel kombëtar. Ato nuk kanë treguar aspak përgjegjësi dhe kjo flet qartë për joprofesionalizmin dhe aspketin e tyre etik. Flet për raportin e tyre ndaj vetvetes, ndaj profesionit që ushtrojnë“, thotë Adamçevski.

Ai ka shtuar se mediat përveç që nuk informojnë, ato merren edhe me manipulime të ndryshme për të fshehur apo shtrembëruar faktet.

Ai thotë se pavarësisht qasjes së këtillë jo profesionale të medieve që janë vënë në shërbim të politikave të cakuara, opinioni ka shumë mënyra tjera për të arritur te informacioni.

Në raportet e shumë organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Maqedonia radhitet në grupin e shteteve me liri të kufizuar, apo të atyre me regjime totalitare.

Në raportin më të ri të organizatës, “Reporterët pa kufij”, Maqedonia renditet në vendin e 117-të, apo 5 vende më lartë se në raportin paraprak.

Por, sipas Shoqatës së Gazetarëve, kjo ngritje nuk ka të bëjë me përmirësimin e lirisë së medias, por për shkak të metodologjisë së re të matjes së lirisë së shprehjes.

“Maqedonia është bindshëm e fundit në Ballkan sa i përket lirisë së shprehjes, ajo është vendi i vetëm në Evropën Juglindore ku gazetarët dënohen për fjalën e shkruar. Maqedonia është vendi i vetëm ku legjislacioni i vendit miratohet pa konsultime me median, me gazetarët dhe me njerëzit për të cilët këto ligje miratohen".

"Maqedonia është vendi i vetëm ku servisi publik është shndërruar në mjet propagande për partitë në pushtet, ky vend gjithashtu është i vetmi ku qeveria me mjete publike korrupton mediat. Praktikisht, mendoj se në këto kushte siç funksionojnë gazetarët dhe mediat në Maqedoni, pushteti ka arritur që të demisionojë median, ne nuk kemi media, ne kemi pak media të lira, të cilat mezi arrijnë t'i bëjnë ballë këtij presioni të hatashëm“, thotë Selmani.

XS
SM
MD
LG