Ndërlidhjet

logo-print

Zeka: Programi qeverisës të ketë pakon e lehtësirave fiskale


Arian Zeka

Arian Zeka

“Programi qeverisës i Kosovës do të duhet të përmbajë një pako të lehtësirave fiskale. Besoj që e kemi kuptuar shumë mirë se nuk ka zhvillim ekonomik pa fuqizim të sektorit të prodhimit në vend, i cili më pas do të rezultojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në përmirësimin e të gjithë indikatorëve tjerë ekonomik dhe social”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës ka filluar qeverisjen e vendit pa një strategji zhvillimore, por siç thonë, me një program qeverisës i cili pritet të aprovohet së shpejti. A janë konsultuar shoqatat ekonomike për përpilimin e këtij programi?

Arian Zeka: Ajo çka mund të them në fillim është se nuk ka pasur koordinim apo konsultim gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesit, përfshirë këtu jo vetëm asociacionet e biznesit, por edhe organizatat tjera të shoqërisë civile, të cilat do të mund të jepnin një kontribut shumë të vlefshëm në përpilimin e një programi, i cili do të ishte i qëndrueshëm dhe do t’i rezistonte edhe kohës edhe ndryshimeve të mundshme në ambientin ekonomik.

Pra, nuk ka pasur një konsultim të tillë gjithëpërfshirës, ndoshta ka pasur takime të fragmentuara ose takime individuale, por që mundësia jonë për të dhënë kontributin e duhur për një program, nuk ka qenë më e mira e mundshme.

Unë besoj fuqishëm që duhet të ketë një koordinim të tillë para sjelljes së programit qeverisës në formën finale dhe para se i njëjti t’i prezantohet deputetëve, qoftë edhe për miratim.

Radio Evropa e Lirë: Për një rimëkëmbje ekonomike të vendit, cilat do të duhej të ishin pikat kyçe të këtij programi?

Arian Zeka: Ajo çka do të duhej të përmbante ky program, përfundimisht është një pako e lehtësirave fiskale, e cila do të mundësonte fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë në vend dhe mundësinë e futjes së investimeve të reja, jo vetëm të huaja, por edhe rritjen e investimeve vendore.

Kemi parë ditëve të fundit edhe tundim të kompanive vendore prodhuese që të bartin makineritë dhe gjithë prodhimin në vendet e rajonit, të cilat ofrojnë lehtësira shumë më të mira dhe tërheqëse për sektorin privat.

Kemi një vendim të vlefshëm të qeverisë së kaluar që parasheh lehtësira fiskale për investimet e reja. Ai vendim është dashur të mbështetet me ndryshimet ligjore, të ligjeve tatimore, ligjeve për të ardhura në koorporata dhe ligjit të tatimit mbi vlerën e shtuar.

Tani po punohet në ndryshimin e këtyre ligjeve, por që jemi vonë.

Në të njëjtën kohë, kemi një ligj për mallrat e liruara nga detyrimet doganore. Neni tre i këtij ligji parasheh lirimin e makinerive të importuara nga detyrimet doganore, por që të mund të fuqizohet ky nen është dashur të sillet një udhëzim administrativ. Por, tani e një vit që nga marrja e këtij vendimi asgjë nuk është bërë, asnjë veprim konkret i qeverisë për ta rregulluar këtë e çështje.

Po flasim për disa lehtësira që kanë ndikim në buxhetin e vendit e që mund të jenë negative por afatshkurta, nëse krahasohen me benfitet afatgjata të cilat do të silleshin nga rritja e bazës prodhuese në vend nga krijimi i vendeve të reja të punës. Kjo është ajo qasja që do të donin ta shohim nga Qeveria e Kosovës, një vizion më të qartë lidhur me këto benefite.

Radio Evropa e Lirë: Investimet e huaja ishin parë si mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, megjithatë nga viti në vit këto investime kanë shënuar rënie. Si të bëhet tërheqja e këtyre investimeve?

Arian Zeka: Ajo çfarë duhet të bëhet është ndryshimi i qasjes, të themi ndoshta edhe një mirëpritje më e mirë e institucioneve të vendit karshi investitorëve të huaj, që nuk e kemi parë viteve të kaluara.

Natyrisht, ka vizita të shpeshta, ka interesim të investitorëve jo vetëm amerikanë, por edhe investitorëve tjerë perëndimorë që vinë në Kosovë.

Kontaktet e tyre me zyrtarët qeveritarë nuk janë të duhura, janë kontakte që nuk rezultojnë të suksesshme apo nuk arrijmë t’i bindim që Kosova ofron kushte të favorshme për investimet e tyre.

Investitorët duhet ta dinë se janë të mirëpritur në vendin tonë. Kemi parë diçka të tillë në vendet e rajonit, kanë qenë kryeministrat, pse jo edhe presidentët e vendit, që kanë dalë nëpër aeroporte dhe kanë pritur investitorët.

Duhet të vazhdohet edhe me promovimin e Kosovës nëpër destinacione në të cilat ndodhen investitorët që kanë potencial për investim. Kjo do të thotë ndoshta jo në vendet ku ata vetë janë në kërkim, të investitorëve , siç ka ndodhur në të kaluarën, por nëpër shtetet e Evropës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po që janë më mirë në aspektin ekonomik.

Duhet të vazhdojnë misionet dyer trokitëse, që të promovojmë Kosovën si një vend për investime të huaja.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG