Ndërlidhjet

Veriu reagon ndaj marrëveshjes për drejtësinë


Bazuar në marrëveshjen e arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për drejtësinë në veriun e Kosovës, do të formohet Gjykata themelore dhe Zyra për prokurorinë themelore, të cilat vendimet e tyre do t'i sjellin duke u bazuar në ligjet e Kosovës.

Në tekstin e marrëveshjes, i cili është bërë publik në mediet e Kosovës, thuhet se për Gjykatën themelore në Mitrovicë, do të jenë në dispozicion disa objekte dhe se do të ekzistojnë katër departamente të Gjykatës themelore, në Zubin Potok, Leposaviq, Vushtrri dhe Skënderaj.

Kryetari i Gjykatës themelore, sipas ligjeve të Kosovës, do të vendosë se ku do të zhvillohet procesi i caktuar gjyqësor, ndërkaq në prokurori, lëndët do të shpërndahen sipas ekspertizës, specializimit, angazhimit personal dhe njohurive të zonës lokale.

Gjykata themelore do ta ketë njësinë e Gjykatës së apelit në Mitrovicë, të përbërë nga 5 gjykatës serbë dhe 2 gjykatës shqiptarë, si dhe Departamentin për krime të rënda për tërë rajonin e Mitrovicës, që do të përfaqësohen nga 4 gjykatës.

Kjo do të jetë pjesë e departamentit të përgjithshëm që do të trajtojë të gjitha veprat penale për Mitrovicën e jugut dhe të veriut, si dhe Zveçanin.
Gjithashtu në objektin e Gjykatës themelore do të jetë edhe departamenti për të miturit, për gjithë rajonin e Mitrovicës.

Në kuadër të gjykatës, në jug të Mitrovicës, marrëveshja parasheh nga 2 gjykatës serbë dhe 7 anëtarë serbë të administratës në Zubin Potok dhe në Leposaviq.

Në Gjykatën themelore në Mitrovicë, do të punojnë 9 prokurorë shqiptarë dhe 9 serbë, të cilët do të kenë nga 24 anëtarë të personelit administrativ.

Kryetari i Gjykatës themelore do të jetë serb nga Mitrovica e veriut, ndërkaq, prokurori kryesor do të jetë shqiptar i Kosovës.

Përderisa përfaqësuesit e prokurorisë publike dhe gjykatës në Mitrovicën e veriut, të cilët deri më tash kanë punuar sipas ligjeve të Serbisë, kanë theksuar se lidhur me atë që parasheh marrëveshja për drejtësinë, do të flasin vetëm pas fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshje, avokati Ljubomir Pantiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fillimisht e ka parë marrëveshjen si të pafavorshme.

“Ne, bashkësia serbe, nuk kemi përgatitje të mjaftueshme të kuadrove që t’iu përgjigjemi atyre detyrave në atë gjykatë dhe në atë prokurori. Gjykatësit dhe prokurorët tanë, për 16 vjet kanë punuar në kushte modeste. Nuk kemi gjykatës të ri, sepse gjykatësit dhe prokurorët tonë nuk kanë sjellë në dritë jurist të rinj, nuk i kanë stërvitur".

Por, edhe nëse e kanë bërë këtë, kjo është në numër shumë të vogël dhe të pamjaftueshëm dhe ky do të jetë problem që do të na ngarkojë në periudhën e ardhshme, që do të zgjasë disa vjet”, tha avokati Pantiq.

Ai ka shtuar se megjithatë, marrëveshja në Bruksel, ka mjaft elemente pozitive, të cilat janë mjaft domethënëse për popullatën serbe në këtë hapësirë. Pantiq thotë se element pozitiv është njësia e Gjykatës së apelit.

“Kjo nënkupton se procesi i ankimeve, shkalla e dytë, do të zhvillohet te ne, gjë që është shumë më mirë se sa të bartet në Gjykatën e apelit në Prishtinë. Megjithatë, më duhet të them se ne këtu, deri më tash kemi qenë në një sistem gjysmë -juridik dhe është thënë më herët se më mirë çfarëdo gjykate se sa të mos ketë fare".

"Kështu që, mendoj se do të ketë ndonjë efekt pozitiv me vet faktin se qytetarët tani do të kenë qasje edhe në gjykata edhe në drejtësi. Edhe pse ne kemi dëshiruar krejtësisht diçka tjetër, megjithatë, mendoj se ky është një hap përpara”, ka theksuar avokati Pantiq.

Në anën tjetër, politikani serb Marko Jakshiq, i cili i takon taborit të kundërshtuesve që serbët të jenë pjesë institucioneve të Kosovës, ka theksuar se me marrëveshjen për drejtësinë në veri, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, e ka shembur sistemin e drejtësisë të shtetit të Serbisë dhe se serbët e veriut të Kosovës, sipas tij, ndjehen “të tradhtuar”.

“Ekzistojnë dy elemente domethënëse të shtetësisë, në mënyrë që të funksionoj një shtet. Këto janë gjyqësia dhe policia. Fatkeqësisht, Beogradi i'a ka dorëzuar policinë dhe gjyqësinë Prishtinës, me çka ka hequr dorë nga çfarëdo elementi i shtetësisë në këtë hapësirë. Kjo paraqet shkelje drastike të Kushtetutës së Serbisë”, ka thënë Jakshiq.

Ndryshe, qytetarët e veriut të Kosovës e kanë pritur në mënyra të ndryshme marrëveshjen për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ljubisha Novakoviq nga Mitrovica e veriut, thotrë se është i zhgënjyer me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Marrëveshjen do ta formuloja si të paplotë dhe si tradhti të lartë. Institucionet e Kosovës po i arrijnë qëllimet e tyre dhe po e realizojnë atë që kanë dashur. Njerëzit tanë, gjykatësit dhe prokurorët tonë , në një mënyrë janë tradhtuar. Ata janë përzënë nga objekti i tyre ku e kanë kryer veprimtarinë dhe kanë mbetur në mëshirën dhe pamëshirën e Serbisë. Nëse ne i pranojmë ligjet e Kosovës dhe zhvillohen proceset sipas ligjeve dhe kushtetutës së tyre, ne jemi humbës”, tha Novakoviq.

Por, ndryshe mendon një qytetar serb tjetër, Milosh Boshkoviq nga Mitrovica e veriut. Ai e sheh marrëveshjen për drejtësinë si një sukses të madh.

“Do të kemi mjaft gjykatës dhe prokurorë, në krahasim me periudhën e kaluar. Unë mbaj mend se shumë më parë, para Millosheviqit, kur shqiptarët i kanë pasur gjykatat, ka qenë diferenca 20 shqiptarë dhe 1 serb".

"Tashmë është ndryshe dhe kjo është gjë e mirë dhe faktikisht është goditje e saktë. Ndërkaq, sa u përket ligjeve, ne jemi në territorin e Kosovës dhe Serbia është pajtuar me këtë. Shimica prej nesh i kemi pranuar dokumentet e Kosovës dhe nuk ka asnjë problem. Ne edhe më parë kemi jetuar ngjashëm".

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG