Ndërlidhjet

Biznesi në Kosovë vazhdon të orientojë veprimtarinë e zhvillimit të vet afarist drejt tregtisë, duke “anashkaluar” industrinë prodhuese që nënkupton se vendi do të vazhdojë të varet nga importi, madje edhe për produktet e përditshme të konsumatorëve.

Se sektori i tregtisë është më “atraktiv” për bizneset, tregojnë edhe statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës( ASK).

Sipas të dhënave të fundit të kësaj agjencie, rezulton se varësisht sektorëve ekonomik, numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me mbi 16 mijë ndërmarrje, ose shprehur në përqindje 55.4 për qind, kurse industria përpunuese rezulton me afër 4000 mijë ndërmarrje ose rreth 13 për qind, pasuar nga sektori i shërbimeve me ushqim, ndërtimtari dhe të tjera.

Zhvillimi i sektorit të industrisë prodhuese ndikon në rritjen e të hyrave buxhetore, e gjithashtu edhe në rritjen e fuqisë punëtore, thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit, por edhe ekspertë për çështje ekonomike.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se ky sektor ka mbetur i pazhvilluar për shkak të politikave të pafavorshme për të bërë biznes.

Sipas tij, autoritetetet kompetente nuk kanë krijuar një strategji të veçantë zhvillimore për sektorin e prodhimit ku ky sektor do të ketë mbrojtje dhe privilegje.

Kjo ka bërë që ne të varemi nga importi nga inflacioni i importuar nga jashtë dhe kjo ka bërë që Kosova mos të ketë eksport të mjaftueshëm dhe që Kosova të ketë gjithmonë një treg atraktiv për prodhuesit e huaj”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, thotë se bizneset prodhuese për nga natyra, janë më të komplikuara, kanë më shumë rreziqe dhe kërkojnë zgjidhje teknologjike dhe ekspertizë biznesore.

Kurse, autoritetetet kompetente në Kosovë, thekson ai, nuk janë në gjendje që të krijojnë kushte të favorshme për këtë sektor.

“Kosova ende nuk është në gjendje që të ofrojë ekspertizë biznesore për fuqizimin dhe krijimin e kompanive prodhuese. Kosova pastajpërballet me probleme tejet serioze, së pari është çmimi i lartë i kredive, pastaj kemi të bëjmë me çmime të larta të shërbimeve publike, shërbime jokualitative, kam parasysh mungesën me energji elektrike dhe të gjitha këto reflektojnë në një aftësi konkurruese tejet të kufizuar të bizneset”, thekson Sadiku.

Politikat e pafavorshme për këtë sektor, sipas Shahinit, kanë bërë që mos të ketë ndonjë produkt“Made in Kosova” të jetë i njohur në tregjet ndërkombëtare.

“Në prodhim është një procedurë, që e zgjat edhe procedurën e prodhimit, por edhe ardhjen e fitimit. Kjo ka bërë që në Kosovë të mos kemi prodhues me ‘brende’ të njohura botërore, por kemi përpunues të ndryshëm, prodhues të vegjël që punojnë vetëm për tregun e Kosovës”, shprehet Shahini.

Ndryshe, në Kosovë industria prodhuese e qumështit konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e tregut kosovar. Në vitrinat e dyqaneve vërehet llojllojshmëri e këtyre prodhimeve, por jo shpesh zgjidhen nga konsumatori, pasi deri në 60 për qind të produkteve të qumështit importohen nga vendet e rajonit dhe të Evropës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG