Ndërlidhjet

Gjendja sociale dhe pakënaqësia me institucionet - faktorë të migrimeve


Migrimi jashtë vendit i qytetarëve nga Kosova.

Migrimi jashtë vendit i qytetarëve nga Kosova.

Gjendja sociale dhe humbja e besimit në institucionet e Kosovës se do të angazhohen për përmirësimin e kushteve të jetesës, potencohen në një hulumtim të prezantuar nga Grupit për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë se kanë ndikuar në rritjen e numrit të migrimeve jashtë vendit.

Sipas kësaj ankete, personat që marrin të ardhura deri në 200 euro në muaj kanë gatishmëri dukshëm më të lartë për të migruar se ata me të ardhura deri në 400 euro.

Hulumtuesja, Arbërsha Loxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se arsye kryesore e migrimit nuk është vetëm faktori ekonomik, ngaqë qytetarët po largohen nga Kosova edhe për shkak të humbjes së besimit karshi institucioneve.

"Ikjet masive, të cilat ne i kemi parë kohëve të fundit, tregojnë se Kosova po eksporton pasuri dhe ky proces do të jetë proces varfërues për Kosovën. Duhet theksuar se ky migrim nuk është si rezultat i kushteve apo faktorëve ekonomikë, por ne mendojmë se njëkohësisht është motivuar nga mosbesimi i qytetarëve karshi çështjeve politike dhe, po ashtu, pakënaqësisë së tyre me sistemin në tërësi në Kosovë”, ka thënë Loxha.

Ndërkaq, Delfinë Elshani, po nga ky Grup, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të fillojë një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me pasojat e migrimit.

Në këtë analizë, theksohet po ashtu se individët, të cilët u takojnë grupmoshave nga 25 deri në 34 vjeç, kanë gatishmëri më të lartë për migrim, krahasuar me ata të grupmoshave mbi 65 vjeç.

Një nga mënyrat për të frenuar dukurinë e migrimeve ilegale, sipas kësaj analize është që Qeveria në koordinim me vendet e BE-së të arrijë marrëveshje për punësimin sezonal të të rinjve nga Kosova.

Në këtë pikë, Qeveria e Kosovës, ka vite është deklaruar se ka kontaktuar vende të BE-së për të siguruar punësime sezonale, por deri më tani nuk janë prezantuar shifra se sa ka qenë e efektshme në këto synime.

Qeveria e Kosovës kohët e fundit është fokusuar shumë në thirrjet drejtuar Brukselit për liberalizimin e vizave, që sipas autoriteteve në Prishtinë, do të ndalte këtë trend të ikjeve.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka deklaruar së fundit se Qeveria është në fazën përmbyllëse të përmbushje së kritereve që Komisioni Evropian i ka parashtruar Kosovës për liberalizimin.

Por, nuk janë vetëm kriteret dhe procedurat teknike që Kosova duhet t'i plotësojë për t'u përfshirë në zonën evropiane të lëvizjes pa viza. Sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë segmente që do të dëshmonin gatishmërinë e Kosovës si një shtet me standarde evropiane.

Që këto rezultate të arrihen, Kosova duhet të miratojë me urgjencë një pako ligjore në këtë fushë. Këtë e ka potencuar vetë kryeministri Isa Mustafa.

Ndryshe, Kosova mbetet vendi më i izoluar në Evropë dhe njëkohësisht, sipas analizave të deritashme të publikuara, edhe vendi më i varfër në kontinentin e vjetër. Kohët e fundit, ka shpërthyer dhe një ikje më masive e njerëzve, që sipas shifrave jo zyrtare, përfliten se janë mbi 50 mijë veta, të cilët përmes rrugëve ilegale po synojnë vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të mirë.

Një dukuri e tillë, tashmë nuk po paraqet shqetësim vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe vende të BE-së, të cilat po bëjnë thirrje në ndaljen e këtij fluksi duke i paralajmëruar shtetasit e Kosovës se do të marrin përgjigje negative në kërkesat e tyre për strehim në këto vende.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG