Ndërlidhjet

Karaxha: Fushatë e pabazë për inspektimin e naftës


Lirije Karaxha-Pula
Lirije Karaxha-Pula

Kohëve të fundit po zhvillohet një fushatë e pabazë në lidhje me kontrollimin e naftës në pikat doganore, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Lirije Karaxha-Pula, udhëheqëse e Trupës Inspektuese "KPU-Inspect”, e autorizuar për inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Karaxha-Pula, ju udhëhiqni një nga trupat inspektues që merren me inspektimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë. Në çfarë forme e realizoni këtë proces?

Lirije Karaxha-Pula: Unë e udhëheq Trupin Inspektues "KPU-Inspect” që është i akredituar sipas standardit ndërkombëtar EN ISO/IEC 17025, për inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës, si dhe i autorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për ta ushtruar këtë veprimtari.

"KPU-Inspekt” i kryen procedurat e akreditimit duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 07 -2012 për cilësinë e derivateve të lënga të naftës që është në fuqi.

Në bazë të këtij udhëzimi administrativ, "KPU-Inspect” zbaton tri procedura: së pari kryhet procedura e njohjes dhe pranimit të dokumenteve të huaja (certifikatave apo raporteve), të lëshuara nga trupat për vlerësimin e konformitetit të akredituar nga vendi që importohet karburanti i naftës.

Kjo procedurë kryhet në pikat doganore, përkatësisht në terminalet doganore. Në rastin e cekur, inspektorët e operatorit që udhëheq unë, bëjnë verifikimin e vërtetësisë së këtyre dokumenteve dhe në qoftë se dëshmohet se këto dokumente janë konform me kërkesat e cilësisë së përcaktuar në udhëzimin administrativ, atëherë lejohet importimi i karburanteve të naftës.

Por, në qoftë se dyshohet në vërtetësinë e këtyre dokumenteve, përkatësisht cilësia e karburanteve nuk është konform udhëzimit të cekur, atëherë zbatohet procedura e dytë - merren mostrat për testim në laboratorët e akredituar testues për të verifikuar cilësinë e karburantit. Nëse rezultatete testimit nuk janë konform me kërkesat e cilësisë, atëherë këtij karburanti nuk lejohet të importohet.

Përveç këtyre procedurave të cekura, "KPU-Inspect” zbaton edhe procedurën e monitorimit, verifikimit të cilësisë së karburanteve të naftës në pikat e shitjes dhe depot e tregtisë së naftës me kërkesë të inspektorëve të tregut të naftës.

Radio Evropa e Lirë: Përfaqësues të naftëtarëve kanë shprehur shqetësimin se cilësia e naftës nuk është në nivelin e duhur, për shkak se, siç kanë thënë laboratorët ekzistues bëjnë vetëm përshkrimin e analizave dhe jo kontrolle laboratorike. Sa qëndrojnë këto kritika?

Lirije Karaxha-Pula: Kjo është një fushatë shumë e pabazë, e cila po zhvillohet me muaj të tërë, me qëllim që Trupat Inspektues të përjashtohen nga mundësia që të kryejnë inspektimin e karburanteve të naftës në pikat doganore dhe në vend të tyre të instalohen laboratorët testues, gjë që është në kundërshtim të plotë më udhëzimin administrativ.

Radio Evropa e Lirë: Cili është roli i Trupave Inspektues në këtë proces, sipas ligjeve ekzistuese?

Lirije Karaxha-Pula: Udhëzimi Administrativ e ka përcaktuar rolin e trupave inspektues në zbatimin e procedurës së vlerësimit të konformitetit të cilësisë së naftës. Sikur këto procedura të zbatohen në përpikëri dhe me përgjegjësi, siç vepron kompania ime edhe nga ana e trupave tjerë inspektuese të akredituar, atëherë në tregun tonë do të kishim karburante më cilësore të naftës.

E, sa i përket kritikave që po bëhet në formë të fushatës, procedurës së njohjes dhe pranimit të dokumenteve të huaja, që, siç e theksova, zbatohet në pikat doganore me rastin e inspektimit të karburanteve të naftës, e potencoj se kjo procedurë është zbatuar edhe në Kroaci deri në momentin kur ky shtet është pranuar në Bashkimin Evropian.

Përparësia e kësaj e procedure konsiston me faktin se është shumë më efikase dhe eliminon pritjet e gjata dhe të panevojshme me rastin e importimit të këtij produkti në Kosovë. Sa për ilustrim, gjatë ditës në Kosovë importohen deri në 50 autobote, sikur nga çdo autobote të merren mostrat për testim, do të nevojiten së paku tri ditë të kryhen testimet laboratorike.

Kur kjo të shumëzohet me 50 autobote, mund të paramendohet se në pikat doganore, për shkak të pritjes së rezultateve të testimeve laboratorike, sa do të zgjaste. Për arsye të cekura më lart, në pikat doganore, laboratorët testues nuk guxojnë të kryejnë këtë procedurë. Nëse i kësaj i shtohet edhe kostoja prej 700 eurosh që do të detyroheshin importuesit të paguanin për çdo testim, mund të kuptohet se sa do të ishte e papërballueshme për importuesit.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Karaxha -Pula, sektori i naftës në Kosovë në vazhdimësi është përballur me probleme dhe parregullsi. Sipas jush, ku qëndrojnë parregullsitë apo keqpërdorimet më të mëdha?

Lirije Karaxha-Pula: Problemet dhe parregullsitë, por edhe keqpërdorimet më të mëdha në sektorin e naftës janë pasojë e faktit se në Kosovë në vazhdimësi janë importuar karburante të naftës në mënyrë ilegale, posaçërisht nga Mitrovica e Veriut.

E dyta është se Drejtoria e Akreditimit të Kosovës ka akredituar dhe autorizuar Trupa për vlerësimin e konformitetit pa i përmbushur kërkesat dhe standardet përkatëse ndërkombëtare dhe dispozitat ligjore.

Nga ana tjetër, roli i Inspektoratit të tregut në monitorin e cilësisë së karburanteve të naftës në pikat e shitjes dhe depot e tregtuesve të naftës, nuk ka qenë i duhur. Kur kësaj ia shtojmë edhe funksionimin jo të duhur të organeve tjera shtetërore në parandalimin dhe eliminimin e parregullsive në sektorin e naftës, mund të kuptojmë më mirë situatën që e ka karakterizuar dhe e karakterizon këtë sektor.

XS
SM
MD
LG