Ndërlidhjet

logo-print

Shtatëvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumicën e të rinjve i gjen të zhgënjyer dhe dëshpëruar me zhvillimet në vend, e sidomos me, siç thonë ata, moskrijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe perspektivën e tyre.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se me shpalljen e pavarësisë së vendit, më 17 Shkurt të vitit 2008, kanë pritur që gjendja në vend të ndryshojë për të mirë.

Sipas tyre shtatë vjet pas, atyre u mungojnë shumë gjëra, duke u nisur nga punësimi, liberalizimi i vizave, një sistem shëndetësor më i mirë e shumë gjëra të tjera.

Luljeta Hoxha, 27 – vjeçare, ka kryer fakultetin jashtë Kosovës. Ajo thotë se është kthyer për t’i kontribuar vendit, derisa shton se shumë të rinj që studiojnë jashtë Kosovës, nuk kthehen më.

“Kosovës, shtatë vjet pas pavarësisë, i mungon një sistem i qëndrueshëm i punësimit dhe i motivimit, posaçërisht për të rinjtë e vendit. Gjithashtu, një mundësi e mëtutjeshme e shkollimit, meqenëse ne jemi dëshmitarë që shumë të rinj shkojnë jashtë për shkollim dhe mbesin atje. Ndoshta do të duhej të hapeshin degë të reja edhe në Kosovë, në mënyrë që të rinjtë të mbeten këtu. Ndërkaq, mua, personalisht, më mungon një sistem i qëndrueshëm i sigurisë, shëndetësisë, si dhe i shkollimit”, thotë Luljeta.

Kushtrimi Haliti, 24-vjeçar, ekonomist me profesion, për rubrikën “VOX” thotë se në Kosovë mungon zhvillimi ekonomik:

“Mendoj që Kosovës i duhet më shumë një zhvillim më i mirë ekonomik dhe investim më i madh i qytetarëve në institucionet e Kosovës. Mendoj se edhe në shëndetësi ka hapësirë për përmirësime derisa mendoj se arsimimi është në nivel”.

Ndërsa, Mentor Ademi thotë se rinisë në Kosovë i mungon liberalizimi i vizave:

“Na mungon liberalizimi i vizave dhe Evropa, punësimi për studentët që e kryejnë fakultetin. Prandaj, rinia po ikën jashtë, pasi që kur po i kryejnë studimet, po mbesin pa punë. Unë qe dy vjet nuk po mund të regjistrohem në Fakultetin e Inxhinierisë. Shpresoj që këtë vit do të mund t’i filloj studimet".

Edhe Arta Sejdiu mendon se me liberalizimin e vizave do të ndalej fluksi i madh i qytetarëve që e lëshojnë Kosovën, duke ikur jashtë vendit në mënyrë ilegale.

“Mendoj që liberalizimi i vizave do ta kish ndalur fluksin e madh të njerëzve. Ka shumë papunësi . Ka shumë hapësira ku duhet të ketë përmirësim. Por jemi shtet në zhvillim, në tranzicion edhe shpresojmë që do të bëhet mirë”, shprehet Arta.

Studenti në Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Sadiku, thotë se vendet e reja të punës, janë të domosdoshme, sidomos për të rinjtë.

“Kemi pritur punësim më të madh, sepse papunësia te ne është në përqindje goxha të lartë. Kryesorja është se e kryen fakultetin e s’ka punë. Ne do të dëshironim që të punonim më tepër për vendin tonë, të bënim më shumë, të jemi shtet i barabartë me shtetet evropiane, sepse ne nuk jemi shtet shumë i madh me sipërfaqe dhe mund t’ia arrijmë”, thekson Artani.

Ndërkaq, Besa Mulla, mendon se që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, gjërat për të mirë kanë lëvizur shumë pak:

Nuk më duket që ka diçka në rregull. Si kemi pritur që ka për të ndryshuar çdo gjë pas pavarësisë, asgjë nuk ka ndryshuar. Për mendimin tim është njëjtë. Papunësi e madhe. E përfundon shkollimin dhe rri në shtëpi, nuk ke çfarë të punosh”.

Pavarësisht premtimeve nga ana e Institucioneve të Kosovës, se do të krijojnë vende të reja të punës, deri më tash nuk është arritur të përmbushen këto premtime.

Kosova konsiderohet se ka përqindjen mjaft të madhe të të rinjve - sipas hulumtimeve të bëra, mosha mesatare e popullatës në Kosovë është nga 25 deri në 30 vjeç.

Si pasojë e moszhvillimit, muajt e fundit thuhet se shuam të rinj nga Kosova kanë migruar në vendet e Bashkimit Evropian.

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkan i izoluar, ku ende nuk ka liberalizim të vizave.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG