Ndërlidhjet

Ndalimi akut i migrimit, i pamundur


Migrimi i paligjshëm i qytetarëve të Kosovës...

Migrimi i paligjshëm i qytetarëve të Kosovës...

Migrimi i paligjshëm i qytetarëve të Kosovës në vendet e perëndimit,rrezikon jashtëzakonisht shumë përparimet në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane. Sipas tyre, Qeveria e tanishme e Kosovës është gjetur në një situatë, në të cilën vështirë mund të amortizohen pakënaqësitë e qytetarëve, një pjesë e të cilëve kanë mësyrë vendet evropiane në mënyrë të paligjshme.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave, më 13 shkurt, ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka filluar që të ndërmarrë masa konkrete dhe të shpejta për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke ofruar perspektivë ekonomike, por edhe në fushat tjera, gjë që do ta parandalonte migrimin e qytetarëve të Kosovës.

Por, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se është e pamundur që Qeveria e Kosovës të ketë çfarëdo plani, që në mënyrë akute do ta ndërpriste migrimin jolegal të qytetarëve të saj drejt vendeve perëndimore.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, në gjendjen në të cilën janë, e kanë të pamundur ta ndalin migrimin në mënyrë akute, me çfarëdo plani qoftë, për shkak se, sipas tij, është vështirë t’i bindin qytetarët.

“Qytetarët e Kosovës nuk besojnë më në institucionet e këtij vendi. Prandaj, pa marrë parasysh, çfarëdo nisme që do të përdoret, nëse kërkojnë që në mënyrë imediate ta ndërpresin, është e pamundur. Kjo mund të bëhet vetëm nga vendet, në të cilat qytetarët synojnë, përmes mjeteve dhe mekanizmave të tyre, që të mos i lejojnë të dalin. Përndryshe, institucionet tona nuk besoj se kanë fuqinë, çfarëdo qoftë ajo, që të mund në mënyrë të përnjëhershme ta ndalin”, thotë Ujkani.

Megjithatë, Ujkani thotë se Qeveria e Kosovës, duhet në mënyrë të menjëhershme t’i qaset zhvillimit ekonomik, e sidomos sektorit privat, të bëjë lehtësi të karakterit fiskal dhe doganor për bizneset.

Avni Mazreku, po ashtu, profesor i së Drejtës Evropiane, vlerëson se masat akute që çojnë drejt zhvillimit ekonomik automatik të një vendi dhe krijimit të një numri masiv të vendeve të punës, është i pamundur në cilindo sistem ekonomik.

Por, sipas tij, hapi i parë që duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës, është fillimi i reformimit të administratës publike, e cila, sipas tij, është e mbingarkuar, si dhe nuk është përputhje me numrin e banorëve dhe me buxhetin e shtetit.

Mazreku thotë se administrata e mbingarkuar e mbyt zhvillimin ekonomik të vendit.

“Sa më e reformuar, sa më efikase të jetë administrata publike, ajo ndikon drejtpërdrejt në sektorët tjerë ekonomikë të vendit. Reduktimi i shpenzimeve publike dhe orientimi i këtyre fondeve drejt mbështetjes së sektorëve të caktuar strategjik, këto janë ato masa që, në fakt, Qeveria e Kosovës duhet të fillojë t’i shoh si akute”, konsideron Mazreku.

Ndryshe, kryeministri Mustafa ka theksuar se “dialogu për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe viti 2015 mbetet vit i përfundimit të këtij procesi”.

Por, sa është e mundur që procesi të përfundoj këtë vit?

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë se është gati e pamundur apo nuk besojnë fare se një gjë e tillë mund të ndodhë këtë vit. Profesor Mazreku thotë se agjenda e Bashkimit Evropian ka paraparë në janar ardhjen në Kosovë të një misioni faktmbledhës ndaj plotësimit e kritereve.

Faktet, sipas tij, do t’i raportohen Komisionit Evropian, i cili në qershor do t’i raportojë Këshillit Evropian.

“Po flasim në mënyrë hipotetike, nëse rekomandimi i Komisionit do të ishte pozitiv, e që ky rekomandim pozitiv do të ishte në raport me rekomandimin e misionit faktmbledhës këtu, atëherë situata apo versioni më optimist i mundshëm do të mund të ishte fundi i vitit 2015 që Kosova të përfitonte nga procesi i liberalizimit”.

“Por, unë jam skeptik që rekomandimet e misionit do të jenë pozitive. Rrjedhimisht, jam skeptik që rekomandimet e Komisionit (Evropian) do të jenë pozitive për mbledhjen e qershorit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht jam skeptik për vendimin e Këshillit Evropian se do të jetë pozitiv”, thekson Mazreku.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Ujkani, i cili thekson se pas asaj që ka ndodhur në tre muajt e fundit, me, siç e quan ai, “eksodin e qytetarëve të Kosovës”, gjasat janë shumë minimale apo fare se mund të ndodhë liberalizimi këtë vit.

“Gjasat që qytetarët e vendit tonë, të Kosovës, të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti, janë shumë minimale, pavarësisht vullnetit të mirë, të cilin dua ta besoj, se zoti Mustafa dhe Qeveria mundohen ta tregojnë, veçanërisht pas këtij eksodi që po e përjetojmë”, vlerëson Ujkani.

Ndryshe, riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë migruar në vendet e Evropës perëndimore, është një nga kriteret për liberalizimin e vizave, por në muajt e fundit, numri i atyre që kanë emigruar ka qenë disa dhjetëra mijëra.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG