Ndërlidhjet

“Sulmuesi i Kopenhagës” vritet nga policia


Kopenhagë
Kopenhagë

Policia në Kopenhagë ka thënë se ka qëlluar për vdekje një person, i cili besohet se ka kryer dy sulme vdekjeprurëse në kryeqytetin danez, të shtunën.

Policia ka thënë se ka vrarë të dyshuarin mbrëmë vonë në qarkun Norrebro, pasi ai ka hapur zjarr kundër forcave të rendit.

Ky zhvillim ka ndodhur pasi një person është vrarë dhe tre policë janë plagosur në një debat për lirinë e shprehjes, që është mbajtur të shtunën.

Në sulmin e dytë, ndërkaq, një hebre është vrarë dhe dy policë janë plagosur pranë sinagogës kryesore të qytetit.

Policia ka thënë se videot e mbikëqyrjes tregojnë se personi i njëjtë ka kryer të dyja sulmet. Autoritetet e rendit nuk besojnë në përfshirjen e ndonjë personi tjetër.

Kryeministrja e Danimarkës, Helle Thorning-Schmidt, ka thënë se mëngjesi i së dielës ka qenë shumë i trishtuar, ndërsa të shtënat i ka përshkruar si “akt cinik të terrorit kundër Danimarkës”.

“Danimarka është goditur nga terrori. Dje, (14 shkurt) një debat paqësor dhe plotësisht demokratik është sulmuar dhe një person është qëlluar dhe vrarë. Mbrëmjen e kaluar, është vrarë edhe një burrë pranë sinagogës hebreje këtu në Kopenhagë”, ka thënë Thorning-Schmidt.

Ajo ka theksuar se ndihet e lehtësuar që policia ka çarmatosur kryesin e dyshuar të sulmeve dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e policisë dhe të jenë vigjilentë.

Thorning-Schmidt ka vizituar më pas edhe sinagogën dhe ka thënë se Danimarka do të bëjë gjithçka për të mbrojtur komunitetin e saj hebre.

“Ne nuk jemi në mes të një beteje midis Islamit dhe Perëndimit; nuk është betejë midis myslimanëve dhe jomyslimanëve. Është betejë kundër vlerave që bazohen në lirinë individuale dhe e një ideologjie të errët. Dua t’i them komunitetit hebre këtu në Danimarkë se jam thellësisht e pikëlluar për atë që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar”, ka thënë Thorning-Schmidt.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe ka thënë se ky është një tjetër sulm kundër hebrenjve.

“I shprehim ngushëllime popullit danez si dhe komunitetit hebre në Danimarkë. Hebrenjtë janë vrarë përsëri në tokën evropiane vetëm pse janë hebrenj. Kjo valë e sulmeve pritet të vazhdojë”, ka thënë Netaanyahu.

Muajin e kaluar, militantët islamistë kanë vrarë 17 persona në Francë, në mesin e tyre edhe disa hebrenj.

Të shtunën në Kopenhagë, sulmi i parë ka ndodhur në një qendër kulturore, ku karikaturisti kontrovers, Lars Vilks, i cili e ka përshkruar Profetin Muhamed si qen në vitin 2007, ka marrë pjesë në një debat për lirinë e shprehjes.

Përshkrimi i Profetit konsiderohet fyes për shumë ndjekës të Islamit. Sipas traditës islamike, çdo përshkrim fizik i Muhamedit, qoftë edhe pozitiv, konsiderohet blasfemi.(v.tela)

XS
SM
MD
LG